Kur lavjerrësi ndalon

Shitorja përballë meje, e stërmbushur me të gjitha llojet e mundshme të mallrave elektronike, i tërheq kalimtarët me sloganin ‘risitë e teknologjisë moderne’; tjetra prapa meje, që shet rroba dhe gjësende ngjyrash të ndezura, bënë joshje ndaj ‘mallrave dhe vlerave antike’. Për një çast vëmendjen më tërheq një grua me veshje tradicionale në batik të gjelbërt, kokëmbuluar me shami të bardhë, mbështetur në parmak në një pozitë të relaksuar, duke vështruar botën të kalonte atypari: gra kineze me veshje elegante (krahërorë të rrafshët, shpatulla të mbushura), burra kinezë të veshur me shije (flokë të qethur, erë të fortë parfumi) duke nxituar për në takimin e ardhshëm, çifte indiane (gratë me veshje laramane ‘Punxhabiane’), gra tjera kokëmbuluara të shoqëruara nga burra të shkurtë dhe me mjekërr (disa prej tyre me turbanë në kokë) si dhe grupe të vizitorëve evropianë dhe amerikanë (zakonisht të veshur thjesht) që nuhatin, admirojnë, kapin gjësendet nga vitrinat dhe raftet ekspozuese dhe pastaj i kthejnë ato në vend. Gruaja në ‘baxhu’ të gjelbërt duket pasive, reflektuese. Por atmosfera është e zhurmshme. Diku në këtë shtëpi mallrash japoneze – ‘Lot 10’ – një disk me theks dhe zhargon afro-amerikan luan njëfarë kënge rep që jehon nëpër tërë ndërtetsën:’Pump up the jam’. Muzika rep vjen nga të gjitha anët dhe përzihet me melodinë popullore kineze që vjen nga poshtë, ndërsa që të dyja këto përzihen me muzikat tjera që dalin nga vargu i shitoreve, si dhe me valët e zërit që prodhohen nga produketet e ndryshme të shitjes, e që mbyten në jehonën e përgjithshme të bisedave dhe përshpëritjes.

Jam në Kuala Lampur, Malajzi. Por mund të isha pothuajse kudoqoftë tjetër në planet. Pluraliteti që përjetohet në Kuala Lampur, ose që në të vërtetë mund të përjetohej në çfarëdo qendre tregtare ku të gjitha komoditetet e mundshme të botës mblidhen nën të njejtin kulm me ato të kulturave etnike, ashtu që konsumuesi të përjetojë botëra nga më të ndryshmet, është pluraliteti i postmodernizmit. Karakteristikat e tij familiare, që secili mund të përjetojë në cilindo qytet të madh, janë përplasja e të moqmes me të renë, vlerat dhe cilësitë e urgjencës, amalgama e faktit dhe fantazisë si dhe padallueshmëria rezultuese e reales nga fantazia, si dhe mungesa totale e kuptimit dhe thellësisë. Postmodernizmi është vala dërrmuese e së ardhmes: aty është arena e fushëbetejave të ardhshme kulturore, teatri në të cilin çëshjet e kuptimit dhe qëllimit do të përjashtohen si dhe skena në të cilën popujt joperendimorë do të definojnë ‘unin’ e identitetit të tyre.

Fundi i shekullit të njëzet e solli njerëzimin në kapitujt e fundit të modernizmit – aventurë kjo evropiane që filloi me Kolombon dhe u zhvillua në lëvizjen filozofike të shekullit shtatëmbdhjetë të njohur si ‘Iluminizëm”. Rendi kulturor i modernizmit i cili u shfaq si rrjedhim i zbulimit të ‘botës së re’ dhe të arsyes pragmatike, ishte rend monolitik dhe despotik. Ai portretoi civilizimin perendimor si normë, poseduesin e vetëm të së vërtetës si dhe masën e matjes për gjithë “Të Tjerët”. Ai e gjykoi historinë si një progres linear drejt kapitalizmit dhe shekullarizmit liberal perendimor dhe që përmbyllej me transformimin e botës në një civilizim të vetëm global perendimor. Ekonomia kapitaliste, industrializmi utilitar, organizimi racional si dhe përqafimi i së resë për hir të së resë ishin motoja e tij. Sipas vetë definimit, tërë ajo që nuk ishte moderne konsiderohej inferiore, që nuk meritonte respekt, dinjitet as mbijetesë.

Pesëdhjetë vitet e fundit kanë dëshmuar modernizmin të bëjë kërdinë me kulturat tradicionale. Në emër të ‘zhvillimit’, vendbanime dhe komunitete të vjetra u shpërndanë, zhvendosën dhe shkatrruan. Për hir të ‘progresit’, mënyrat tracionale të njohjes – shkenca, mjekësia, teknikat – u vunë nën kontrollë, u shtypën dhe u varrosën në cement. Për tu bërë ‘modern’, kulturat dhe mënyrat popullore të jetës, u trazuan, u shpërbënë dhe u tretën në harresë. Buldozeri i modernizmit po kalonte ‘amok’ – ironikisht, fjala e vetme kjo me origjinë Malaje në gjuhën angleze – duke nxituar jashtë kontrollit drejt fundit të saj jo fort të largët në autostradën e historisë.

Sot, lëngimi i shoqëruar me përjetimin e modernizmit ndihet gjerësisht dhe pranohet haptazi. Zhvillimet e fundit në lëmi të ndryshme të hulumtimit njerzor si filozofia, sociologjia e diturisë, linguistika, teoria letrare, arkitektura si dhe letërsia, kanë nxjerrë në shesh të palarat e modernizmit. Modernizmi po sulmohet nga postmodernizmi. Flamurtarët e modernizmit dëshirojnë të ruajnë superioritetin e saj (bazuar në idenë se arsyeja është kriteri i vetëm i së vërtetës) dhe të mbrojnë atë për tu mos u shqyer nga dyshimi dhe pasiguria. Mendimi postmodern nënçmon gjithë sistemet madhore të mendimit që pretendojnë të jenë arbitrarë të vetëm të së vërtetës: arsyeja vëhet në një nivel me magjinë dhe e vërteta shihet si relative madje edhe në botën më të mirë të mundshme. Dyshimi është gjithqka. Relativiteti është norma.

Përderisa modernizmi i shtypi dhe margjinalizoi gjithë kulturat joperendimore, postmodernizmi hapë derën për rihyrje dhe ngazllehet me diversitetin dhe pluralitetin e kulturave etnike. Ndërsa modernizmi i pat vënë vlerat perendimore, historinë perendimore, kulturat dhe vizionet perendimore në zenitin e të arriturave njerëzore, postmodernizmi barazon të gjitha vlerat, të gjitha historitë, të gjitha kulturat dhe vizionet në një rrafsh të përbashkët, duke theksuar dhe thurur lavde dallimeve dhe ndryshimeve të tyre. Ndonëse modernizmi i shtypi zërat joperendimor, postmodernizmi kërkon të reprezentojë kultura Tjera dhe tu ofrojë zërave të tyre rastin të dëgjohen.

Mirëpo postmodernizmi nuk paraqet kapitullin e parë (ose ‘parafjalën’) të një libri të ri për fatin tonë. Kjo shënon vetëdijsimin se shumë nga parashikimet racionale të shekullit nëntëmbdhjetë u zbuluan të jenë më të gabuara se sa iluzionet iracionale të cilat ato vetë patën synuar t’i zëvendësonin. Postmodernizmi paraqet zhvendosjen e njëanshme nga shtypja në mashtrim, nga patrullimi në treg, nga ushtria në bankë, nga leximi i thellë i epistemologjisë në leximin e cekët të hermeneutikës. Ai është toka e askujt në të cilën kapitujt përmbyllës të modernizmit dezintegrohen në pakuptimësi, si dhe në të cilën skica e një libri të ri, që eventualisht do të shkruhet, është në punim e sipër. Postmodernizmi është një shkretëtirë ku njerëzit janë ndalur përkohësisht sa për të vendosur nga t’ia mbajnë, meqë mbeturinat e modernitetit po u grumbullohen në pluhur rreth e përqark. Këto punime të librit tonë të ardhshëm për mënyrat e reja të ekzistencës shoqërore dhe kulturore, natyrisht se do të shpiejnë në tensione dhe konflikte të konsiderueshme. Mirëpo përtej këtij konflikti, ende mund të shihet dhe të punohet për ndërtimin e një shoqërie më të shëndoshë dhe më të sigurtë.

Kur lavjerrësi lëkundet, ai lëkundet nga një pikë ekstreme në tjetrën. Që të dyja modernizmi dhe postmodernizmi janë pika ekstreme: secila syresh anë e anasjelltë e tjetrës. Pesëdhjetë vitet e ardhshme do të dominohen nga konflikte që lindin nga shkundjet e tilla violente: nga modernizmi në postmodernizëm, nga një shoqëri totalisht e mbyllur në një shoqëri totalisht të hapur (dhe ekspozuar), nga rigjiditeti fundamental në anarkinë liberale. Këto shkundje paraqesin tentimet tona që të definojmë vetveten, të shërojmë unat tonë pas rrënimit të modernizmit. Njeriu mëson nga përvoja: vetëm duke provuar gjithë pozitat ekstreme të identitetit tonë kulturor do të vetëdijsohemi për atë që mendimi popullor gjithmonë na mësoi, se shpëtimi i kulturave dhe shoqërive qëndron në ‘rrugën e mesme’, në shtegun e balancës dhe ujdisë – shteg ky që arrihet kur lavjerrësi ndalon.

Kur lavjerrësi përfundimisht ndalet – përreth pesëdhjetë vite nga këtu – ne do të kemi zbuluar se bota nuk mund të sundohet as nga një nocion i vetëm eskluziv i së vëretetës, por as nuk mund të dominohet nga një ideologji në të cilën të gjthë të vërtetat janë relative dhe fundja, pa kurrëfarë rëndësie. Do të kemi kuptuar se kërkimi për çlirim total nga tradita (modernizmi) ose indiferenca totale ndaj një koleksioni të kulturave, na lë pezull në muzgun ku të gjitha gjërat shihen me mosbesim dhe indiferencë të njejtë. Atëherë do të ishim në kapitujt e parë të librit të ri të multikulturalizmit. Do të jemi në një botë me shumë civilizime dhe kultura. Nuk do të jetë një botë ‘e civilizmit si e njohim atë’: që të dyja, modernizmi dhe postmodernizmi janë përfundimisht për mbajtjen e botës sipas imazhit të vetëm të civilizimit perendimor. Do të jetë nje botë e civilizimeve: perendimor, islamik, indian, kinez dhe tjera civilizime më të vogla. Secili civilizim do të rizbulojë dhe rilind veten sipas kritereve dhe koncepteve të tij si dhe të ketë dinamikën e tij, mënyrat unike të të njohurit, të bërit dhe të qenurit. Secili do të zbulojë format e veta të qeverisjes me pjesmarrje, autonomisë demokratike dhe identitetit civilizues. Dhe të gjithë do të pasurojnë njëri tjetrin me respekt reciprok, bashkveprim dhe sintezë: një botë e civilizimeve të ndryshme ipso facto pranon natyrën e ndërlidhur dhe të ndërvarur të identiteteve, elementet e pabashkëmatshme të tyre si dhe të drejtën e tyre politike për autonomi. Në një botë të tillë, njeriu mund të njeh dhe çmojë të vërtetat dhe vlerat e civilizimeve Tjera, duke mos humbur fare përkushtimin serioz për vlerat e civilizimit të vet.

Identiteti ka të bëjë me përkatësinë. Një botë multicivilizuese pajis njeriun jo vetëm me një identitet nacional ose etnik: ai vë atë në parametrat e një civilizimi me të gjitha ato që ai përfshinë dhe njëkohësisht i dhuron atij një bazë më të fortë për identitetin e tij si dhe çliron unat nga pasimi i interesave të ngushta. Pra, njeriu do të jetë në gjendje të respektojë interesat e tjerëve dhe njëkohësisht të pasojë ato të vetat brenda domenës së civilizimit të vet. Secili individ paraqet sintezë jo vetëm të raporteve ekzistuese por edhe të historisë së raporteve të tilla. Ajo ose ai është konspekt i të kaluarës dhe të tashmës. Pra, ne duhet të kërkojmë identitete tona individuale brenda kontekstit të historisë sonë, traditës, kulturës dhe civilizmit. Ne duhet të vëmë në pah, në udhëkryqet e jetës sonë të përditshme, raportet ekonomike, politike dhe gjinore të nënshtrimit dhe dominimit, që ekzistojnë brenda kulturave dhe civilizimeve tona. Çdo individ ngarkohet me barrën e definimit të ‘unit’ të personalitetit të tij si dhe me atë të ngadalësimit ose të ndalimit të lëkundjeve të fuqishme të lavjerrësit prej një ekstremi në tjetrin. Alternativa e një bote multicivilizuese e cila themelon ndjenjën e identitetit, tashmë është folur nga Niçe: çmenduria. Përtej konfliktit që shtrihet në Evropën lindore, në botën muslimane, në ndarjen veri-jug si dhe në dihotominë tradicionale-moderne, gjendet libri i ri i vizioneve që pritet të shkruhet. Do të jetë libër i vështirë ky të shkruhet, meqë përfshinë secilin individ si dhe orvatje të vazhdueshme. Mbi të gjitha, kjo përfshin kuptimin dhe respektimin e kulturave Tjera, gjë që kërkon shumë më shumë se një tolerancë në bazë të mosbesimit ose mungesës totale të interesimit. Indiferenca është receta e çmendurisë. Hapat e parë që mund të ndërmarrim si individë drejt shkrimit të kapitujve fillestar të librit të ri, është të marrim vetvetet dhe besimet tona si dhe të Tjerët dhe besimet e tyre, me më seriozitet.

Derisa marrë hurba nga kapuqino dhe reflektoj mbi hapin e ardhshëm që duhet të ndërmarrë për të rritur rezistencën kundër lavjerrësit, për të arritur një ekzistencë më të balancuar, mendoj për mënyrat e ndryshme sipas së cilave identiteti im kompromentohet, konfiskohet dhe dënohet. Kapitalizmi global për të cilin kjo shtëpi mallrash është një manifestim konkret, nuk i intereson fare a jam unë musliman, i krishterë, shekullarist, pakistanez, burrë, zezak apo çkadoqoftë tjetër: krejt qka kërkon është që unë të blej. Këtu, në këtë shkretëtirë kulturore, në këtë pluralitet të indiferencës, që të dyja qenia dhe identiteti im janë funksion i aktit të blerjes. Unë blej, prandaj unë ekzistoj. Identiteti im formohet nga imazhi që unë paguaj: dizajni i rrobave, vetura e duhur, qanta dhe ora e përshtatshme - unë paguaj një sistem firmash, firma më jep mua identitetin, dhe ja pse për këto tipe firmash ia vlen të kërcet pushka.

Befasisht bëhem i vetëdijshëm për shiqimet admiruese. Kam veshur Levis (lidhur me rrip Dunhill), këmishë YSL, të mbathura Nike, si dhe mbaj një orë Rolex të cilën e kurdisi dhe e rregulloj në dorën time të majtë. Një grup i turistëve japonez më masin me sy, më përshëndesin dhe më kalojnë pranë. Ndjehem se vlej një milion. Vetëm gruaja në baxhu të gjelbërt tradicionale, ende e mbështetur në parmak, mosmiraton: tradhtar!

Çdo gjë që kam veshur është fals, bërë në Tajlandë, madje edhe më keq. Por shpresoj se brenda, diku thellë në trupin i cili burgos shpirtin tim, ekziston një ‘unë’ imi i vërtetë. Dal nga Delifranceja për të kërkuar atë.

(Burimi: Publikuar fillimisht në “Vizione për Shekullin 21” nga Sheila M. Moorcroft (ed.), Adamantine Press, Londër, 1992. Marrë nga “Islami, Postmodernizmi dhe Ardhmëri Tjera” )

Përktheu: Elma Berkolli

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme