DISKURSI IDEOLOGJIK NË POEZINË SHQIPE TË GJYSMËS SË DYTË TË SHEKULLIT

Meqë ishin intonim i një kauze çlirimtare, e cila doli fitimtare në fund të luftës, këngët partizane u ngulitën me efekte psikologjike dhe propagandistike në receptimin masiv të publikut, duke thyer refuzimin e natyrshëm të pjesës kritike të publikut ndaj diskursit ideologjik që po e atakonte traditën dhe shijet e saj.Tekstet e këngëve partizane të shkruara nga Andrea Varfi, Fatmir Gjata, Kolë Jakova, Qamil Buxheli, Shefqet Musaraj, e madje edhe Mehmet Shehu e Shefqet Peçi1, e filluan procesin e ndryshimit të funksionit estetik të tekstit dhe e promovuan atë si funksion ekskluzivisht ideologjik. Natyrisht, thyerja e rezistencës ndaj këtij funksioni të ri të poezisë, u shoqërua edhe me kanosje për thyerjes kafkash të atyre që tregonin më shumë vendosmëri në refuzimin e diskontinuitetit artistik dhe të izolimit që po promovohej zhurmëshëm dhe dhunshëm.

Këtu nuk do të bëjmë historinë e këtij procesi. Këtu vetëm do të identifikojmë disa manifestime konkrete poetike të krijuara me synimin që të dominonte diskursi ideologjik, e që mund të konsiderohen si përftesa legjitimuese të krejt doktrinës.

Sa për ilustrimin fillestar, po kujtojmë këtu se poezia e Ismail Kadaresë, “Shpjegim për librat Besianës së vogël”është potuajse e papërsëritshme përnga plasimi me efektivitet në “tabelën e mundësive letrare”2 që ofron doktrina e realizmit socialist.

Poezia “Shpjegim për librat Besianës së vogël”, spikatë një opozicion interesant sa u takon mënyrave të përdorimit të fjalëve, me nënkuptim për vetë ambientin letrar, social dhe politik shqiptar të gjysmës së dytë të shekullit XX. Referenca thotë se poetët hermetikë i harrojnë fjalët përditë e më shumë, krejt në kundërshtim me natyrën njerëzore. Ndërsa në ambientin shqiptar kjo harresë e fjalëve vinte nga autecensura dhe nga dhuna që rrinte pezull mbi përdoruesit e fjalëve jashtë normave të ngurtësuara ideologjike.

E kundërta e përdorimit me ngurrim dhe gati afazik të fjalëve, ishte poezia e realizmit socialist, e cila synonte të shkaktonte sa më shumë zhurmë dhe të plasonte sa më shumë fjalë, madje fjalë sa më të pagdhendura, sikundër lë të kuptohet poezia programatike e Dritëro Agollit, “Poetëve që vijnë”. Kjo poezi e Agollit ka një përfundim që ia vlen gjithsesi të mbahet mend si një argument i paluajtshëm i diskursit ideologjik ndaj natyrës së vetë poezië, ku vlera e saj kundrohet si antipod i fjalëve të bukura:



Të na kishit parë si digjeshim pranë vajzave që donim!

Ç’fjalë të bukura u thoshim mbrëmjeve të arta!

Po ne s’kishim kohë që fjalët e bukura t’i botonim

Dhe shtypshkronjat i kishim për gjëra më të larta… 3



Diskursi ideologjik i poezisë së realizmit socialist ka futur në vargun poetik shqiptar shfytyrime pothuajse në të gjitha idetë, në motivet dhe temat e trajtuara dhe ka përdorur mjetet gjuhësore të shprehjes me një arbitraritet të skajshëm. Po ta shohim sot se si trajtohet brenda këtij diskursi ideologjik ideja e lirisë, mund të mbetemi të çuditur. Ajo barazohet me revolucionin komunist, duke e trajtuar tërë pjesën tjetër shumëshekullore të historisë kombëtare si një pritje të epilogut të lindjes së komunizmit:



Karvan i gjatë i maleve priste

Priste me vite, kish pritur me shekuj,

Ta printe përpara një udhëheqëës,

Priste Shqipëria

Partinë Komuniste. 4



Liria kombëtare si revolucion social, partia komuniste si sublimacion i të gjitha vlerave pozitive nacionale dhe Enver Hoxha si prijës i pagabueshëm dhe me përmasa mitologjike, janë në qendër të shumë poetëve të gjysmës së dytë të shekullit XX, që nga Dhimitër Shuteriqi, Llazar Siliqi, Dritëro Agolli, Ismail Kadare, Moikom Zeqo, Muzafer Xhaxhiu, e shumë e shumë të tjerë, me çka ata kanë kodifikuar këtë diskurs në pjesën më të zhurmshme dhe më jopoetike të poezisë shqipe.

Është krejt normale që kjo mënyrë e ideologjizimt të motiveve dhe të temave, ku theksi bie mbi emrin e partisë, të udhëheqësit, ose të armiqve të klasës, duke i dhënë poezisë orientim semantik njëdimensional, detyrimisht u orientua drejt poemës, drejt vargjeve të gjata, e me thyerje të forta, jo sipas organizimit semantik të vargut poetik, po sipas logjikës së një fjalimi para publikut. Poema me vargje të gjata e të thyera, me fragmentime të shumta, mbetet model i preferuar në rastet kur mesazhi adresohet më shumë si mesazh ideologjik se artistik. Nga kjo anë, si edhe nga nivele të shumta të tematikës dhe të ideve, poezia shqipe e realizmit socialist, ndërlidhet me poezinë sovjetike që ishte paradigma ideologjike e saj.

Nga ana tjetër, në këtë lloj poezie, ndodhi edhe një hibridizim me tematikën atdhetare, që i kishte rrënjët në poezinë shqipe të Rilindjes. Shenjat e historisë kombëtare, që nga humbëtirat e shekujve, shpalosen si evokime të lavdishme, por gjithnjë në funksion të konfirmimit të lavdisë finale që kishte ardhur me fitoren e revolucionit. Kjo mënyrë e krijimit letrar, mundësoi komunikim masiv të poetëve me publikun, për faktin se publiku nuk e vërente qartë diskontinuitetin stilistik dhe ideor nga poezia e mëparshme shqipe. Por, ajo që është më vendimtare në këtë punë, ka të bëjë me kushtet e izolimit të plotë dhe të presionit propagadistik e të represionit politik, që praktikohej gjithandej shoqërisë shqiptare. Në këto rrethana, lexuesi e shihte poezinë e tillë si formë më të zbutur të propagandës ideologjike zyrtare dhe vetë poetët si një pjesë më humane dhe më legjitime të nomenklaturës politike.

Diskutimi i kësaj përvoje në poezisë shqipe të gjysmës së dytë të shekullit XX, në kontekstin e pasojave që ka shkaktuar në deformimin e natyrës së artit poetik, në deformimin e shijeve dhe në mosbesimin e sotëm të lexuesve ndaj poezisë, ende është i vështirë. Në njërën anë janë vetë autorët që bëjnë avokati në favor të përvojës së vet, duke vu në spikamë rrethanat kritike në të cilat kajë krijuar leëtrsi, ndërsa në tjetrën kundërshtarët e tyre. Këta të dytët synojnë që diskutimin ta nxjerrin nga shtrati shkencor dhe ta shndërrojnë në mjet për krijimin e një pamjeje të re të vlerave të letërsisë shqipe, por me kritere poashtu ideologjike, ku të qenët disidentë, vetvetiu trajtohet si vlerë estetike. Kësisoj, ata duan që të mohojnë an bllok vlerat e poetëve që kanë shkruar siaps metodës së realizmit socialist, madje edhe në rastet kur kanë krijuar vlera të mirëfillta estetike.

Diskutimi i përvojës gati gjysmëshekullore të poezisë së realizmit socialist në letërsinë shqipe, besoj se është i rëndësishëm sepse hap një mundësi të rishikimit të vlerave e antivlerave të saj, ku literariteti duket të jetë pala më e dëmtuar. Besoj se gjurmimi pas kësaj shkalle të dëmtimit, është pikënisja më korrekte e diskutimit. Pra, kjo metodologji studimi nuk ka të bëjë me autorët, as për mirë as për keq. Ata i kanë pasur arsyet e veta pse kanë shkruar ashtu, qoftë si një lloj vaksine imunizuese ndaj diktaturës, qoftë nga bindjet e tyre. Metodologjia që propozojmë ne ka të bëjë me poezinë konkrete, e cila inkuadrohet në “tabelën” e realizmit socialist, me kontekstin e saj social dhe me funksionin ideologjik po edhe estetik.

Në poezinë shqipe në Kosovë, ka pasur një përvojë të realizmit socialist në vitet e pesëdhjeta, por ajo ia ka lëshuar hapësirën pluralizmit stilistik, që erdhi në kuadër të proceseve politike dhe letrare që ndodhën në ish Jugosllavi. Megjithatë, mbeti një përvojë e poezive përkushtime ndaj të rënëve partizanë dhe ndaj udhëheqësve politikë të kohës. Edhe këtu pati një aktivizim të diskursit ideologjik, në ndonjë rast me qëllim të imunizimit politik, e në raste të tjera edhe si bindje politike, ose si synim për përfitim politik të vetë autorëve. Në këtë kontekst, po edhe në përmasa më të gjera, mbetet që të identifikohet dhe të vlerësohet në të ardhmen shkalla e ndikimit të poezisë jugosllave mbi poezinë shqipe të Kosovës dhe pasojat e mundshme mbi identitetin estetik të saj.

Poezia shqipe e viteve të shtatëdhjeta në Kosovë duke ndërruar shtratin, faktikisht e shmangu realizmin socialist , përveç te rastet e disa poetëve, që mbetën të lidhur me poezinë e realizmit socialist, për shkak të motiveve ideologjike-patriotike, ose të epigonizmit.


Shënime
1. Mosha e lirisë, (Antologji e poezisë shqipe, përgatitur nga Dalan Shapllo),Dita, Tiranë, 1999,
2. Cvetan Todorov, Poetika strukturale, Nolit, Beograd, 1978, fq. 52
3. Dritëro Agolli, Të pagjumët, Rilindja, Prishtinë, 1980, fq. 209
4. Ismail Kadare, Përse mendohen këto male, (te Motive me diell), Rilindja, Prishtinë, 1978, fq.171
5. Ismail Kadare, Pashallarët e kuq, ëëë.groups.yahoo.com/ group/bota-letrare/

Në Prishtinë, 18 nëntor 2003

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme