
2. Në rolin e institucionit shkencor për realizimin e islamizimit të shkencës, për qytetërimin efikas dhe për krijimin e gjeneratave që do të mund ta bartin barrën e Mesazhit.
3. Të punohet për ardhmërinë e ekzistencës njerëzore dhe për ndërtimin qytetërues, sepse përmes këtij roli të ummetit dhe mendimit të tij të drejtë mund të përmirësohet qytetërimi njerëzor dhe të përforcohet mendimi njerëzor bashkëkohor.
1. Ardhmëria e Ummetit
Është e qartë se gjendja momentale e mendimit të ummetit ka nevojë për përmirësim ashtu siç ka nevojë edhe gjendja psikike e tij. Njohuritë që u ofrohen individëve e gjeneratave janë procese racionale që dallohen nga ato psikike, të cilat formohen që nga fëmijëria. Ajo që ndodh në moshën e pjekurisë mund të jetë vetëm përmirësim dhe korrigjim i asaj që është formuar në moshën e fëmijërisë.
Në këtë kontekst Pejgamberi a.s. thotë: “Të aftit tuaj të xhahilijetit janë të aftit tuaj në Islam, në qoftë se kuptojnë!” - (Transmetim i Buhariut)
Këtu qëndron edhe shkaku i suksesit të arabëve të lirë për një kohë të shkurtë pas konvertimit në Islam dhe pas pranimit të sistemit të tij.
Gjenerata e tashme e ummetit islam duhet të luajë rolin kryesor e ta kuptojë natyrën e mejdanit, mundësitë e punës dhe të krijimit të ideve të reja, edhe atë duke u mbështetur në mënyra të shëndosha të cilat formojnë cilësi të mira e besim të thellë në ligjet, qëllimet dhe synimet e Islamit.
Ndryshimi i gjendjes së ummetit varet nga ardhmëria dhe nga përgatitja shpirtërore e intelektuale në baza të shëndosha. Vetëm ndryshimi i tillë mund ta përgatisë ummetin që ta luajë rolin qytetërues.
Mund të thuhet se kjo gjeneratë e ka luajtur rolin e vet vetëm atëherë kur do ta ketë përgatitur gjeneratën që vijon pas saj. Në qoftë se mendon se gjenerata e ardhshme ka mundësi për ta luajtur rolin pozitiv gabon, ngase ekzistojnë gabime në formimin psikik të cilat as nuk mund të ndryshohen plotësisht në këtë periudhë e as nuk mund ta nxjerrin ummetin nga kriza.
Siç shihet, qëllimi kryesor i kësaj gjenerate në radhë të parë duhet të përqëndrohet në përgatitjen e ardhmërisë mbi parimet e shëndosha dhe me mënyrat adekuate për përgatitjen e fëmijëve të gjeneratave të ardhshme.
Nëse e kuptojmë këtë mësim themelor, atëherë obligohemi të përqëndrohemi në realizimin e tri çështjeve vijuese:
1. të sigurohet potenciali konstruktiv
2. të formohen ide, mendime, njohuri e vizione korrekte islame,
3. mendimi, koncepcionet dhe vizioni islam të kenë ndikim edukativ e konstruktiv në të rinjtë dhe të formojnë psikikë të shëndoshë, të drejtë e efektive.
Kjo nënkupton se dijetarët dhe udhëheqësit e ummetit duhet të dijnë se ripërtërirja e fuqisë së ummetit dhe e rolit të tij në ardhmërinë e njerëzimit, nuk mund të realizohet me psikikë të dobët dhe me potencial të ulët ideologjik e qytetërues.
Meqë kjo gjeneratë ka në vete komponente të dobëta, atëherë ummeti dhe udhëheqësit e tij, në rend të parë duhet të orvaten që ta ripërtërijnë mendimin dhe vizionin islam, e në qoftë se ndërmerret ndonjë hap tjetër në këtë periudhë, dështimi është i pashmangshëm. Ummeti duhet të orvatet t’u kundërvihet sulmeve që vijnë nga armiqtë, por jo edhe të largohet nga qëllimet thelbësore.
Në fazën e parë të aktiviteteve për ardhmërinë duhet të punohet në aspektin intelektual e edukativ, që konsiderohet si bazë e formimit të fuqisë së nevojshme të ummetit. Për sa i përket aspektit politik e ushtarak, ummeti duhet të financojë aq sa ka nevojë për realizimin e planeve konstruktive e ripërtërirëse.
Dijetarët dhe udhëheqësit duhet t’ia sqarojnë ummetit rëndësinë e formimit psikik dhe rolin e tij në qenien e ummetit, si dhe komponentat e nevojshme për një projekt të tillë, sepse vetëm në këtë mënyrë do të ndryshojë gjendja e gjeneratave të ardhshme nga ajo aktuale dhe e kaluara. Kjo metodë do të ndikojë që gjendja psikike e qytetëruese e fëmijës, e nxënësit dhe e të riut, të ndryshojë nga ajo e etërve dhe e edukatorëve të tyre. Roli i etërve dhe i edukatorëve duhet të jetë udhërrëfyes për ta arritur qëllimin.
Ky rast mund të krahasohet me mjekun që jep receta për ilaçe të dëmshme për shkak të dobësisë së tij psikike ose me ushtruesin e moshuar i cili orvatet t’i ushtrojë të tjerët por s’ka mundësi që në mënyrë të plotë t’i demonstrojë ushtrimet.
Pra, ardhmëria e ummetit varet nga zhvillimi, ndryshimi dhe formimi psiko-intelektual i gjeneratave të ardhshme. Sa më shumë që të investohet në këtë projekt, aq më i madh do të jetë rezultati pozitiv. Të gjithë intelektualët, dijetarët e mendimtarët e ummetit, obligohen që t’i përqëndrojnë aktivitetet e tyre intelektuale në ripërtërirjen e mendimit islam dhe në mbështetjen e vizionit islam në baza të shëndosha, e pastaj t’ua ofrojnë projektet e tilla institucioneve dhe prijatarëve të ummetit. Për t’i realizuar qëllimet e tilla ata obligohen që ta studiojnë historinë, ndikimin e saj në mendimin e ummetit dhe depërtimin e devijimeve në të, sepse kështu do të rilindin vizionet dhe mendimet kreative për ardhmërinë e bazuar në bazamente të shëndosha. Elita e tillë gjithashtu obligohet t’i analizojë parimet dhe koncepcionet e mendimit islam, metodologjinë, relacionet, fazat e formimit, vizionin, diturinë dhe të gjitha aspektet e jetës dhe të shoqërisë. Këta gjithashtu obligohen që ta kthejnë origjinalitetin, universalitetin, instinktivitetin dhe realitetin e mendimit islam ashtu siç obligohen që t’i studiojnë edhe rrethanat dhe faktorët historikë që ndikuan në devijimin e mendimit dhe të vizionit islam si dhe në shndërrimin e tyre në simbole e ceremoni formale të cilat shekuj me radhë s’mund ta nxjerrin ummetin nga kriza.
Elita intelektuale e ummetit gjithashtu duhet t’i shqyrtojë burimet dhe metodologjinë e mendimit islam për të fituar shkenca islame jo vetëm në sferat e Shpalljes, teksteve e të gjuhës por edhe në ato të jetës e shoqërisë njerëzore. Metodologjia e mendimit islam ofron njohuri, vizion dhe rezultat sistematik, dinamik, të përkryer e produktiv në lëmenjtë jetësorë, shpirtërorë e shoqërorë, gjegjësisht në arsimim, politikë, sociologji, ekonomi, menaxhment dhe informatikë, kurse filozofia e arteve, e arkitekturës, e shkencave ekzakte e natyrore është shpikje e mendjes së njeriut nën ndikimin e nevojave të jetës së ndryshueshme.
Elita intelektuale e ummetit duhet të dijë se mbi ta bie përgjegjësia e projekteve të tilla, dhe sa më seriozë, sa më durimtarë dhe sa më të suksesshëm të jenë në formimin e vizioneve të shëndosha e shkencore, aq më të suksesshëm do të jenë në lëvizjen e ummetit, në shërbimin e Mesazhit dhe në ndërtimin e jetës. Sa më kreative të jenë idetë e tyre aq më të suksesshëm do të jenë në realizimin e obligimeve të tyre, e po qe se ndodh e kundërta, atëherë ummeti do të thellohet edhe më tepër në vuajtje e dështime.
Mendimtarët e ummetit islam duhet të ofrojnë vizion qytetërues bashkëkohor, ripërtërirje të metodologjisë, realizim të origjinalitetit të përgjithshëm shkencor dhe koncepcione e alternativa islame nga aspekti i organizimit shoqëror, edukativ e arsimor. Ata obligohen që në këtë fazë ta zhvillojnë vetëdijen islame të udhëheqjeve dhe të masës së përgjithshme, të ndërtojnë metodologji të drejtë islame, të formojnë vetëdije të shëndoshë psikike, edhe atë duke filluar prej fazës së foshnjores e deri në instancat më të larta. E nesërmja është e suksesshme, fuqi është rinia ndërkaq ummeti obligohet që të punojë në përgatitjen e prijatarëve të së nesërmes.
Ata gjithashtu obligohen që ta kuptojnë rolin e prindërve në përgatitjen e gjeneratës së të nesërmes, posaçërisht në edukimin e tyre, ngase formimi psikik e vlerësues varet nga marrëdhëniet ndërmjet prindërve e fëmijëve. Çdo përpjekje në shkollë apo në shoqëri që nuk përfiton bindjen e prindërve, do të dështojë. Një bindje e tillë do të ndikojë që prindërit të përpiqen me mish e me shpirt që t’i realizojnë qëllimet e fëmijëve të tyre. Pra, suksesi i mendimtarëve dhe i edukatorëve në procesin e ndryshimit do të varet nga depërtimi i tyre në bindjet e prindërve dhe në lëmin edukativ, ngase shtëpia dhe prindi mund të kontribuojnë në realizimin e qëllimeve të kërkuara. Energjia e prindërve për suksesin e fëmijëve të tyre nuk mund të krahasohet me asgjë, dhe për këtë shkak mendimtarët nuk duhet ta injorojnë angazhimin aktiv të prindërve në këtë fazë të ummetit. Kjo metodë garanton se do të kapërcehen të gjitha barrierat që ndodhen para organeve dhe institucioneve të zhvillimit, përparimit dhe ripërtërirjes.
2. Islamizimi dhe institucionet shkencore
Biseda rreth ardhmërisë nuk plotësohet para se ta shqyrtojmë rolin e institucioneve shkencore islame në realizimin e islamizimit. Është e qartë se kriza e ummetit islam është e shtrirë në mënyrën e të kuptuarit të koncepcioneve esenciale mbi realitetin shoqëror qytetërues. Gjithashtu është e qartë se orvatjet politike e ushtarake nuk janë efektive dhe për këtë shkak gjendja keqësohet nga dita më ditë, gjegjësisht dallimi ndërmjet ummetit islam dhe popujve të përparuar është në rritje e sipër.
Aplikimi praktik i Islamit për t’i realizuar qëllimet e synimet e larta, projektin efikas dhe organet e përparuara shoqërore, do të jetë i suksesshëm në qoftë se ndihmohet nga burimet e diturisë, shkencës e metodologjisë së shëndoshë shkencore që janë të thelluara në mendjen e në ndërgjegjen e ummetit dhe në elementet e edukimit të fëmijëve.
Institucionet shkencore-edukative së bashku me shtëpinë dhe familjen do ta luajnë rolin kryesor dhe do ta formojnë epiqendrën ku do të formohen forcat, fuqitë dhe pikënisjet. Pra, institucionet e tilla do të sigurojnë kuadro nga bijtë e ummetit.
Institucionet shkencore-edukative të Botës islame që e imitojnë verbërisht mendimin e huaj dhe që mbështeten vetëm në çështjet formale, nuk do të korrin sukses. Këto institucione nuk duhet të mbështeten vetëm në dërgimin e studentëve jashtë vendit, gjeneratë pas gjenerate, por duhet të përqëndrohen në përgatitjen e kuadrit të brendshëm kreativ i cili do t’i ofrojë ummetit shkencëtarë e ekspertë që nuk kanë nevojë për t’u ulur në karriget e të huajve.
Institucionet shkencore të Botës islame duhet ta ndërrojnë koncepcionin, ta kuptojnë rëndësinë e pozicionit që e kanë dhe të mbështeten në përpjekjet, potencialin, fenë, besimin, parimet dhe në mësimet e marra nga historia e ummetit, ngase në këtë mënyrë do të prezentojnë metodologji të plotë shkencore që ka efikasitet sistematik të shëndoshë, do t’u kundërvihen sulmeve dhe do t’i plotësojnë nevojat reale të ummetit!
Institucionet shkencore nuk duhet t’i ofrojnë ummetit vetëm përkthime formale të shkencave, njohurive dhe metodologjive perëndimore e lindore, sepse në këtë mënyrë elita intelektuale islame do të ofrojë vetëm mendime që dalin nga mendjet e të huajve e që s’mund ta ndryshojnë realitetin dhe që s’mund të formojnë ide origjinale.
Institucionet shkencore dhe edukative të Botës islame duhet të nisen nga bindjet dhe qëllimet që dalin nga ndërgjegjja e ummetit dhe të formojnë institucione, qendra, njësi dhe asociacione shkencore që punojnë në zhvillimin dhe në përparimin e metodologjisë shkencore islame. Gjithashtu duhet të fillojë islamizimi i metodologjisë së nevojshme shkencore islame në të gjitha sferat shkencore, që të jetë pikënisje e studimeve shkencore -qytetëruese islame. Që të realizohet e gjithë kjo, ndihet nevoja e angazhimit të plotë të të gjitha institucioneve shkencore dhe e profesionalistëve shkencorë. Përpjekjet e tyre praktike do të ndikojnë që të formohet horizonti i ri shkencor islam me qëllime të reja qytetëruese islame, me zhvillim të ri intelektual dhe me metodologji të re shkencore islame, apo thënë shkurt, do të formohet horizonti islam që karakterizohet me frymë origjinale shkencore-metodologjike.
Formimi i degëve shkencore shoqërore islame në disa universitete të Botës islame, si psh. ekonomia islame, informatika islame dhe qytetërimi islam, formimi i qendrave për hulumtimin e studimeve shoqërore islame si psh. qendrat e hulumtimeve të mendimit islam si dhe ekonomia islame dhe të mësuarit e lëndëve shoqërore islame, si psh. të mësuarit e marrëdhënieve ndërkombëtare islame, mendimi politik islam, sistemi qeveritar islam dhe zhvillimi politik i Botës islame konsiderohen hapa të mirë për një rrugë të shëndoshë, të cilat kanë nevojë inkurajimi dhe përkrahjeje nga të gjitha instancat përkatëse. Një hap i tillë gjithashtu ka nevojë për njerëz që janë ekspertë në burimet e diturisë islame dhe që do të kontribuojnë në realizimin e projekteve të tilla shkencore.
Studimet shoqërore islame nuk janë sa duhet të furnizuara as me mjete përkatëse e as me ekspertë përkatës. Nuk mjafton të hapet ndonjë qendër apo ndonjë departament e as të përcaktohet ndonjë lëndë studimi po qe se nuk sigurohen ekspertë dhe mjete për realizimin e qëllimeve në fjalë. Ngarkimi i hulumtuesve dhe i studiuesve me ligjërime mbi metodologjinë islame teknike ose shoqërore krahas obligimeve tjera që i ushtrojnë, do të dështojnë ngase nuk do të mund të përqëndrohen thellësisht në një lëmë.
Suksesi i islamizimit të diturisë, shkencës, metodologjisë e edukatës varet nga puna sistematike. Ky proces nuk është çështje që mund të emetohet në mediumet informative, por është çështje ekspertësh që punojnë bashkërisht në mënyrë permanente derisa të lulëzojnë degët e ta japin frytin e tyre.
Hapi i parë që duhet ndërmarrë nga institucionet shkencore islame për islamizimin e shkencës dhe të ummetit përbëhet nga obligimet vijuese:
A. Analizat e teksteve të Shpalljes, gjegjësisht të Kur’anit dhe të Sunnetit, për t’i bërë sa më të afërta ndaj elitës intelektuale.
B. Analizat e literaturës enciklopedike të trashëgimisë islame për t’ia bërë sa më të afërt elitës intelektuale. Procesi i bashkimit të njohurive, të metodologjisë dhe të ndërgjegjes së muslimanit me parimet islame, rezulton me origjinalitet dhe përkatësi, meqë në të kundërtën çdo gjë do të shkojë huq.
C. Në institucionet shkencore-edukative dhe në universitetet islame duhet të tubohen ekspertët e shkencave shoqërore që kanë njohuri për parimet dhe trashëgiminë islame dhe që punojnë sistematikisht në hulumtime e studime shkencore. Në këtë mënyrë ekspertët e tillë do të formojnë vizionin dhe metodologjinë shkencore. Mënyra më e mirë e realizimit të projektit të tillë është ndërtimi i qendrave shkencore specialistike dhe i studimeve të larta, ku bashkëpunojnë hulumtuesit, studiuesit e studentët derisa të arrihet rezultati i procesit në fjalë.
Përpilimi i literaturës sipërfaqësore mbi përgatitjen e dobët të armikut është hap i shpejtuar dhe paraprakisht i papërgatitur, kështu që shpresat mund të humbin, vizioni mund të mjegullohet dhe udhërrëfyesi mund të humbë.
Ç. Institucionet shkencore islame duhet ta vetëdijësojnë masën e përgjithshme, t’i thjeshtësojnë çështjet islame para tyre, t’ua sqarojnë parimet dhe relacionet e tyre me to, t’u tregojnë se çfarë kujdesi duhet të tregojnë ndaj kësaj çështjeje si dhe t’i hapin dyert e simpoziumeve shkencore e kulturore para parive udhëheqëse, t’ua sqarojnë aspektet e kësaj çështjeje dhe të kërkojnë angazhimin e tyre në këta lëmenj shkencorë që janë në interes të ummetit.
Institucionet e tilla duhet të formojnë edhe asociacione shkencore e kurse specialistike shkencore të cilat do të ndihmojnë në realizimin e kësaj çështjeje në favor të ummetit. Mendoj se ka kaluar koha e tubimit të një grupi të vogël punëtorësh në ndonjë kënd të kullave shkencore.
D. Institucionet shkencore islame duhet t’i drejtojnë ekspeditat shkencore, studimet e larta dhe hulumtimet shkencore nga tematikat dhe çështjet të cilat janë në favor të origjinalitetit shkencor islam dhe të çështjeve jetësore të ummetit. Gjithashtu edhe hulumtuesit duhet të përgatisin kuadro që do të punojnë për përfitimin e origjinalitetit të diturisë e jo të bien nën ndikimin e intelektit të huaj dhe të dështojnë para sulmeve kulturore kolonialiste, të cilat që moti kanë depërtuar në eshtrat dhe në parimet kredologjike, ideologjike e akademike të ummetit.
Ne duhet të jemi të bindur se do ta kryejmë obligimin tonë po qe se punojmë në mënyrë sistematike e permanente në këtë proces. Vetëm pas një angazhimi serioz do të kemi të drejtë ta kërkojmë pëlqimin e Zotit, e të na ndihmojë. Ai është Mbështetësi dhe Ndihmësi më i mirë!
3. Ardhmëria e njerëzimit
Pasi ardhmëria e ummetit islam varet nga suksesi në ripërtërirjen e metodologjisë së ummetit islam, nga mënyrat edukative-arsimore dhe nga formimi i shkencave shoqërore islame, atëherë vërehet qartë se edhe ardhmëria e njerëzimit, të cilit i kërcënohet rreziku nga gjendja e mjeruar dhe e tronditur, varet nga suksesi i ummetit islam në ripërtërirjen metodologjike, në qartësimin e vizionit dhe në sigurimin e shëmbëlltyrës dinamike islame.
Islami i ofron njeriut qëllim jete e ekzistence, qoftë si individ apo si shoqëri. Ai gjithashtu njerëzimit i ofron moral të lartë, ndjenja instinktive dhe marrëdhënie universale fizike e metafizike në shpirt, shoqëri, gjithësi e ekzistencë.
Islami po ashtu ia ofron njerëzimit parimet e stabilitetit shoqëror, të përparimit qytetërues, të paqes dhe të sigurisë botërore.
Islami mbron institucionin e familjes, parimin e drejtësisë, solidaritetin, përgjegjësinë individuale e shoqërore, lirinë e besimit, mendimet dhe ndërgjegjen, parimin e “shurasë” dhe unitetin njerëzor. Islami nxit kërkimin e diturisë, urdhëron për ripërtërirje, përparim e progres dhe plotësimin e nevojave.
Njerëzimi pra, ka nevojë për një vizion të tillë islam, ngase përmes kësaj mënyre do të ketë mundësi të mbrohet nga rreziqet që i kanosen nga qytetërimi materialist që s’ka kurrfarë lidhje me udhëzimet hyjnore.
Dështimi i qytetërimit bashkëkohor materialist, shkatërrimi i shoqërisë dhe i familjes si dhe vuajtjet shpirtërore më nuk janë çështje sekrete, ngase sot i vërejmë haptazi fenomenet e tilla. Bota sot është ndarë në relacionet Veri - Jug, në të bardhë e të zinj, në të pasur e të varfër, në të uritur e të ngopur, në kolonialistë e të kolonializuar, në zotërinj e robër, dhe të gjithë këta bëjnë gara në shkatërrim dhe në mjete të shkatërrimit.
Në shoqëri më nuk ekziston paqja por vetëm frika nga shkatërrimi i përgjithshëm prej botës së nacionalistëve, të elitave dhe të palëve në konflikt e urrejtje.
Njerëzimi dhe popujt e përparuar sot më së shumti kanë nevojë për Islamin ngase ai në vete përmban koncepcione që e eliminojnë dobësinë, si në kohën e tashme ashtu edhe në të ardhmen. Koncepcionet e tilla të Islamit mund t’i rezymojmë në dy çështje:
A. Çështja e parë
Islami formon një shoqëri ku dominon parimi i unitetit dhe i vëllazërisë, ashtu siç dominon edhe kujdesi ndaj nevojave elementare të individit si dhe ndaj interesave të përbashkëta me të tjerët në të gjitha nivelet, duke filluar prej familjes, fqiut e deri te populli e njerëzimi.
Popujt që jetojnë nën ndikimin e fuqive materialiste shkatërrimtare do të jetojnë nën ndikimin e filozofisë së grindjeve midis individëve, popujve e klasave. Atmosfera e tillë do të ndikojë në psikikën e njerëzve dhe do të shkaktojë gjakderdhje, armiqësi midis popujve dhe vetëvrasje të njerëzve.
Nga kjo shihet se Bota e Islamit ose Bota e sigurisë shoqërore është filozofi e të nesërmes që mund t’i realizojë sigurinë dhe paqen e vërtetë të botës së ardhshme.
Në këtë kontekst, Zoti i Madhëruar në Librin e Tij famëlart thotë:
“O ju njerëz! Kini frikë Zotin tuaj që ju ka krijuar prej një veteje (njeriu) dhe nga ajo krijoi palën (shoqen) e saj, e prej atyre dyve u shtuan shumë burra e gra.” (en-Nisa, 1)
“O ju njerëz, vërtet Ne ju krijuam juve prej një mashkulli dhe një femre, ju bëmë popuj e fise që të njiheni ndërmjet vete, e s’ka dyshim se tek All-llahu më i ndershmi ndër ju është ai që më tepër është ruajtur, e All-llahu është shumë i dijshëm dhe hollësisht i njohur për çdo gjë”. (el-Huxhurat, 13)
“Nga argumentet e Tij është krijimi i qiejve e i tokës, ndryshimi i gjuhëve tuaja dhe i ngjyrave tuaja. Edhe në këtë ka argumente për njerëz.” (er-Rum, 22)
“Njerëzit nuk ishin tjetër pos të një feje, e u përçanë” (Junus, 19)
“Adhurone All-llahun e mos i shoqëroni Atij asnjë send, sillnu mirë ndaj prindërve, ndaj të afërmve, ndaj jetimave, ndaj të varfërve, ndaj fqiut të afërt, ndaj fqiut të largët, ndaj shokut pranë vetes, ndaj udhëtarit të largët dhe ndaj robërve”. (en-Nisa, 36)
“Për këtë shkak ne u shpallëm (ligj) Beni Israilëve se kush e mbytë një njeri (pa të drejtë), pa të ketë mbytur ai ndonjë tjetër dhe pa të ketë bërë ai ndonjë shkatërrim në tokë, atëherë (krimi i tij) është sikur t’i kishte mbytur të gjithë njerëzit. E kush e ngjallë (bëhet shkak që të jetë ai i gjallë) është sikur t’i kishte ngjallur (shpëtuar) të gjithë njerëzit!” (el-Maide, 32)
“E mos e harroni bamirësinë ndërmjet jush.” (el-Bekare, 237)
“Dhe njerëzve u thuani fjalë të mira”. (el-Bekare, 83)
“All-llahu nuk ju ndalon të bëni mirë dhe të mbani drejtësi me ata që nuk ju luftuan për shkak të fesë e as nuk ju dëbuan prej shtëpive tuaje; All-llahu i do ata që mbajnë drejtësinë.” (el-Mumtehine, 8)
“Në qoftë se doni të merrni hak, atëherë ndëshkoni në atë masë sa jeni ndëshkuar ju; e nëse duroni, pa dyshim Ai është më i mirë për ata që durojnë”. (en-Nahl, 126)
“Dhe luftoni në rrugën e All-llahut kundër atyre që ju sulmojnë e mos e teproni, se All-llahu nuk i do ata që e teprojnë (e fillojnë luftën)”. (el-Bekare, 190)
“E në qoftë se ndalen (nga propaganda dhe lufta), atëherë line armiqësinë, përveç atyre që janë zullumqarë.” (el-Bekare, 193)
“O ju që besuat! Bëhuni plotësisht të vendosur për hir të All-llahut, duke dëshmuar të drejtën, dhe të mos ju shtyjë urrejtja ndaj një populli e t’i shmangeni drejtësisë; bëhuni të drejtë, sepse ajo është më afër devotshmërisë”. (el-Maide, 8)
“Kur të flitni (të dëshmoni), duhet të jeni të drejtë edhe nëse është çështja për (kundër) të afërmit”. (el-Enam, 152)
“Dhe kur të gjykoni, ju urdhëron të gjykoni me të drejtë midis njerëzve”. (en-Nisa, 58)
“Ndihmohuni mes vete në të mira dhe në të mbara, e mosni në mëkate e në armiqësi!” (el-Maide, 2)
“Nëse dy grupe besimtarësh tentojnë të luftojnë ndërmjet vete, ju pajtoni ata, e në qoftë se ndonjëri prej tyre e sulmon tjetrin, atëherë luftone atë grup që vërsulet pa të drejtë derisa t’i bindet udhëzimit të All-llahut, e nëse kthehet, atëherë me drejtësi bëni pajtimin ndërmjet tyre, mbani drejtësinë, se vërtet All-llahu i do të drejtit. S’ka dyshim se besimtarët janë vëllezër, pra bëni pajtim ndërmjet vëllezërve tuaj dhe kini frikë All-llahun, që të jeni të mëshiruar (nga Zoti). O ju që besuat, nuk bën të tallet një popull me një popull tjetër, meqë të përqeshurit mund të jenë më të mirë nga ata të cilët përqeshin dikë tjetër, e as gratë me gratë tjera, sepse mund të ndodhë që gratë e tjera të jenë më të mira se ato që përqeshin (duke nënçmuar njëra-tjetrën) dhe mos e etiketoni njëri - tjetrin me llagape. Pas besimit është keq të përhapet llagapi i keq. E ata që nuk pendohen janë mizorë.” (el-Huxhurat, 9-11)
B. Çështja e dytë
Kjo çështje ka të bëjë me nocionin e diturisë dhe me metodat e hulumtimit shkencor. Mendimi materialist kryesisht mbështetet në metodën racionale empirike e induktive dhe niset nga bota e dukshme, nga eksperimentet dhe nga njohuritë ekzistuese për t’i njohur ligjet e jetës dhe gjithësisë. Mendimi i tillë nuk ka kurrfarë lidhje me shpallje të zbritur ashtu siç nuk ka të bëjë edhe me informatat e feve tjera të mëdha, si p.sh. me Krishterimin, ngase informatat që gjenden në librat e tyre të shenjtë, me kalimin e kohës janë deformuar deri në atë shkallë saqë nuk i pranon as mendja, as shkenca e as instinkti i shëndoshë.
Nëse e kuptojmë problemin e komplikuar të natyrës shoqërore të njeriut dhe faktorët e ndryshëm që ndikojnë në sjelljen njerëzore në të njëjtën kohë, të cilat në përgjithësi nuk mund të vehen në tavolinën e eksperimenteve, atëherë do ta kuptojmë dështimin e madh të shkencave shoqërore dhe të teorive kontradiktore nga lëmenjtë e shkencave bihevioriste, shoqërore e edukative.
Pasojat e këtyre gabimeve zbulohen pas një kohe të gjatë, gjegjësisht atëherë kur faktorët e tillë shkatërrues do të kenë depërtuar në përbërjen e shoqërive njerëzore dhe në strukturën e saj.
Në qoftë se e kuptojmë këtë aspekt, atëherë do të kuptojmë se karakteristika e trashëguar shkencore islame përputhet me shkencën racionale materialiste në esencën e instinkteve e të ligjeve të qenieve, porse nuk kufizohet vetëm në këtë nivel por i korrigjon dhe mbron nga dëmet që mund të dalin prej formave të tilla të kufizuara.
Muslimani obligohet që t’i vështrojë, t’i hulumtojë e t’i studiojë krijesat dhe ligjet e tyre të cilat i ka krijuar Zoti, për t’i shfrytëzuar në favor të vetin. Muslimani gjithashtu posedon parime e aksioma të inspiruara nga Shpallja e Zotit e që kanë të bëjnë me çështjet esenciale shoqërore e bihevioriste. Po qe se muslimani gabon diku, aty është Shpallja që e mbron. Për të nuk është e saktë ndonjë gjë që është në kundërshtim me hallallin, haramin, apo me ndonjë parim islam.
Kështu, dituria islame njëkohësisht mbështetet si në burimet e shkencës racionale empirike induktive ashtu edhe në burimet e udhëzimit universal hyjnor. Muslimanit i lejohet të punojë apo të bëjë tregti aq sa të dojë por me kusht që të mos dëmtojë askënd.
Muslimani mund të jetojë dhe ta rregullojë jetën familjare si të dojë, por me kusht që të veprojë sipas rregullave dhe udhëzimeve të sheri’atit, si psh. pa kontratë martese rrezikohet nderi i gruas dhe i fëmijës, të drejtat psikike e materiale dhe bëhet vepër e ndaluar dhe e shëmtuar.
Zoti nuk i don ata që dalin jashtë parimeve të sheri’atit!
E gjithë kjo konfirmon se Shpallja dhe mësimet islame nuk janë përkufizime të kota, por i rregullojnë marrëdhëniet në jetë për ta mbrojtur nga humbja e amoraliteti dhe për të realizuar marrëdhënie shoqërore ideale:
“All-llahu urdhëron drejtësi, bamirësi, ndihmë të afërmve, e ndalon nga amoraliteti, nga e neveritura dhe nga dhuna. Ju këshillon ashtu që të merrni mësim.” (en-Nahl, 90)
Këtë realitet nuk e ndryshon padituria e ithtarëve të Islamit rreth qëndrimit të racios ndaj tradicionales, kjo çështje nuk varej prej tyre për shkak se rrethanat ndikuan që ata të përjetojnë izolimin dhe ndarjen ndërmjet parisë intelektuale e asaj shoqërore shekuj me radhë.
Këto dy çështje, (shoqëria e unitetit) përballë (shoqërisë së konfliktit) dhe aplikimi i rregullave të marrëdhënieve sipas burimeve të diturisë njerëzore, do të realizohen në qoftë se muslimanët e kuptojnë botën e të nesërmes. Njerëzimi nuk mund t’i paguajë dëmet e luftërave të cilat morën shumë njerëz.
Kur të kuptojë njerëzimi se çfarë dëmesh e shkatërrimesh ka bërë në tokë e në gjithësi, atëherë do ta ndiejë nevojën për parime të sakta e precize të cilat dalin nga Libri i Zotit dhe nga hadithet e vërteta të Pejgamberit a.s., të cilat janë të respektuara nga çdo përsiatës i drejtë dhe të cilat do ta shpëtojnë nga shkatërrimi e zhdukja. Kur të mbretërojë vetëdija e tillë, atëherë nuk do të mendohet për konflikte e sulme por për unitet, afrim, ekzistencë dhe interes të përbashkët.
Muslimanët janë të detyruar realisht që ta kuptojnë Mesazhin e tyre, ngase vetëm në këtë mënyrë do të kenë mundësi ta realizojnë qëllimin e kësaj ekzistence sipas urtësisë së Krijuesit.
Në këtë kontekst, Zoti i Madhëruar thotë:
“Dhe ashtu (sikur ju udhëzuam në Fenë islame) Ne ju bëmë juve një popull të drejtë (një mes të zgjedhur) për të qenë ju dëshmitarë (në Ditën e Gjykimit) ndaj njerëzve”. (el-Bekare, 143)
“E kush punoi ndonjë të mirë që peshon sa grimca, atë do ta gjejë. Dhe kush punoi ndonjë të keqe që peshon sa grimca, atë do ta gjejë”. (ez-Zelzele, 7-8)
Kjo e shton përgjegjësinë e ummetit islam, të dijetarëve e të mendimtarëve muslimanë, ngase në qoftë se i aplikojnë koncepcionet e fesë së vërtetë, do të formojnë shoqëri ideale. Në këtë mënyrë ata nuk do ta shpëtojnë vetëm vetveten e tyre dhe nuk do ta ndërtojnë vetëm qytetërimin e popullit të tyre, po do ta përmirësojnë gjendjen e mbarë njerëzimit dhe do ta formojnë qytetërimin e njeriut në tokë. Kështu ata do të ndërtojnë shoqëri ku do të mbretërojnë drejtësia, siguria e paqja, ku do të ketë zbulime shkencore dhe përparim të drejtë materialist e civilizues dhe ku në tokë do të realizohet nocioni i “mëkëmbësisë” për të cilën ka urdhëruar Zoti.
Dhe në fund, islamizimi është çështje e ummetit
Qëllimi i këtij hulumtimi është përshkrimi i gjendjes së ummetit në një formë të përgjithshme, vënia e saj para bijve të ummetit që të jetë pikënisje për vazhdimin e ummetit në histori, zbërthimi i çështjeve kryesore që ndikuan në situatën e këtillë dhe shërimi i individit, i ummetit islam dhe i mbarë njerëzimit.
Për t’i realizuar të gjitha këto qëllime të mëdha, ky studim tenton që të formojë vizion të përgjithshëm në mendimin islam dhe t’i analizojë rrënjësisht faktorët e dekadencës, stagnimit dhe vuajtjeve të ummetit në mënyrë serioze e objektive, që të ketë mundësi ta njohë shkakun dhe ta përcaktojë shërimin.
Autori i kësaj vepre është i bindur se ummetit nuk i mungojnë as mundësitë e as vlerat por i mungon metodologjia e shëndoshë e të menduarit. Problemet e mendimit u shkaktuan nga problemet në vizionin shoqëror e qytetërues, në edukatën islame e në institucionet e përgjithshme. E gjithë kjo ndikoi që ummeti të përçahet e t’u ngjajë robërve të cilët nga frika e paaftësia mbështeten në ndihmën e armiqve të tyre.
Islamizimi i përgjithshëm i diturisë dhe ripërtërirja e metodologjisë së mendimit dhe edukatës, janë shpresë për ardhmërinë e ummetit, ngase vetëm kështu do të mund të zgjohet e të zhvillohet derisa të shërohet e ta rikthejë autoritetin dhe rolin në procesin e përparimit, progresit dhe bartjes së përgjegjësisë për udhëzimin e njerëzimit drejt të vërtetës dhe fesë së fortë të Zotit.
Autori mendon se prijësit e aktiviteteve islame nuk duhet të mendojnë se kjo pikënisje rrënjësore intelektuale nënkupton anulimin e vlerës së lëvizjeve politike. Kjo çështje është problematikë e ummetit dhe e pozicionimit të tij në karrigen e udhëheqjes qytetëruese e jo të ndonjë qeverie, vendi apo partie. Mendimi është faktori esencial dhe fillestar për t’i përfituar rezultatet dhe frytet e orvatjeve dhe programeve në fjalë.
Gjithashtu vlen të ceket se përpjekjet e të gjitha sferave janë komplementare dhe nuk anojnë në ndonjë anë për shkak të rrethanave apo nevojave, kështu që përqëndrimit në sferën politike duhet t’i bashkangjitet edhe sfera intelektuale, bile në hapin e parë. Sfera politike e dinamike duhet të konsiderohet faktor që do t’i sigurojë mundësitë e zhvillimit dhe përparimit të burimeve të energjisë në intelekt e shpirt.
Gjithashtu duhet të sqarohet fakti se aksioni intelektual zhvillohet në nivele e instanca të ndryshme. Disa prej niveleve dhe instancave në fjalë kanë të bëjnë me metodologjinë, burimet, esencat, qëllimet dhe ripërtërirjen e natyrës së vizionit dhe intelektit, kurse disa të tjera kanë të bëjnë me çështjet praktike strategjike dinamike.
Gjithashtu dëshirojmë të theksojmë se problemi i ummetit varet nga nivelet dhe instancat e intelektit e metodologjisë, kurse çështja praktike strategjike dinamike varet nga suksesi i nivelit më të lartë të intelektit e të metodologjisë, dhe ndoshta pikërisht këtu qëndron shkaku i mossuksesit të mendimeve reformiste islame bashkëkohore të Abdurrahman Kevakibiut, të cilat i shënoi në librin e tij “Ummul-Kura” një shekull më parë. Suksesi i projektit duhet t’i përfshijë të gjithë e jo vetëm një pjesë.
Autori është i bindur se po qe se qartësohet vizioni i shëndoshë, atëherë sukseset do të vijojnë njëri pas tjetrit. Historia na rrëfen se kur udhëzohet ummeti dhe kur korrë sukses në mendim e në pikënisje, atëherë zhvillohet dhe përparon më shumë se të parët e tij, dhe pas një kohe të shkurtë e përmirëson gjendjen e vet. Koha është e gjatë për njeriun e dobët e të paaftë, kurse e shkurtë për të suksesshmin e të fuqishmin.
Elita intelektuale e ummetit së pari duhet të përqëndrohet në ripërtërirjen e mendimit dhe në qartësimin e vizionit për bijtë, burrat dhe udhëheqësit e ummetit, ngase vetëm kështu, me lejen e Zotit, ummeti do të përparojë e do të prosperojë.
E përfundoj fjalën duke iu drejtuar Zotit të Gjithfuqishëm e të Madhëruar me lutje që të na dhurojë urtësinë e të drejtën, të na shpëtojë nga kjo barrë e rëndë që gjendet mbi supet e ummetit e të njerëzimit dhe të na bëjë prej punëtorëve të devotshëm të cilët dëgjojnë fjalën dhe ndjekin të mirën. Falënderimi i takon vetëm All-llahut, Zotit të botëve!