
Hyrje
Shpesh shtrohet pyetja e reformimit të partive të ndryshme, organizatave të shumta, e edhe vetë Bashkësisë Islame. Në anën tjetër, Bashkësia Islame thotë se është në reformë e sipër dhe shtron argumentet e saja.
Përgjigjja nuk është e lehtë as e thjeshtë, sidomos në këtë dinamizëm të jashtëzakonshëm që dominon në fillim të shekullit 21. Megjithatë, duke shfrytëzuar përvojën e kaluar dhe urtësinë aktuale, gjendja aktuale po ndjek një rutinë prej shumë kohësh mirë të provuar. Madje, muslimanët as nuk po përpiqen të bëjnë ndonjë ofertë të veçantë, duke menduar se ata e dinë punën e tyre. Muslimanët kanë formuar një rrjetëzim hierarkik të gjerave dhe interesit që vështirë mund të thyhet apo ndryshohet.
Ofertë atraktive përballë status-kuo-së
Çfarë kanë muslimanët dhe çfarë do të duhej duhej ta kenë në të ardhmen është çështje për trajtim të mençur e të urtë. Krahas gjendjes ekzistuese mendoj se muslimanëve u mungon një dinamizëm edhe individual edhe institucional. Apo si e thotë këtë dr. Enes Kariq në një intervistë, Bashkësia Islame duhet t’i bëhet besimtarit një servis besimi nga jeta dhe jo një servis besimi nga libri. Madje kjo e fundit zgjon irritim, bezdi te njerëzit e kuptueshëm por edhe tek unë.
Muslimanëve u mungon një institucion arsimor-edukativ i lëvizshëm, me synim t’i mbulojë ato hapësira që shteti nuk dëshiron apo nuk mundet t’i mbulojë. Këtu mund të numërohet aftësimi dhe edukimi i kuadrove për edukim shëndetësor, për kujdes ndaj pleqve, ndaj fëmijëve të moshave të ndryshme, për kujdes dhe këshilla familjare, por edhe për turizmin fetar, që kohëve të fundit është aktual edhe te bashkësitë tjera fetare. Muslimanët janë të pranishëm kudo, ndaj edhe Bashkësia Islame duhet të jetë kudo, me njerëz adekuat dhe ofertë cilësore.
Për këtë qëllim ofertat e mundshme apo rivalët tanë nuk do të duhej kuptuar si rrënues apo armiq të institucionit dhe besimtarëve, por si lëvizje të një organizmi, lëvizje drejt të mirës dhe përparimit. Krahas kësaj, duhet çmuar risitë e mençura dhe lirinë për realizimin e tyre. Dialogu i brendshëm duhet të ekzistojë, opozita ideore duhet të ekzistojë. Në fund të fundit, mënyra e punës dhe studimit të shkollës së Ebu Hanifes këtë na ka mësuar. Ekzistimi i mendimit ndryshe ka ekzistuar qysh atëherë dhe ekzistimi i mendimit të Ebu Jusufit dhe Muhamedit krahas mendimit të Ebu Hanifes këtë e vërteton më së miri. Çdo përvetësim absolut, çdo absolutizim i mendimeve dhe qëndrimeve, çdo barrikadim mendimesh çon në ngecje dhe përçarje.
Shpjegimi autokton i Islamit
Për shkak të qasjeve të ndryshme, shpesh herë të ngurta, mbase edhe të nxituara e të skajshme, vjen deri te ftohja e raporteve mes individëve, individëve dhe institucioneve dhe midis vetë institucioneve. Shkaku kryesor i kësaj ftohjeje është perceptimi dhe interpretimi i mësimeve islame kundrejt temave të ndryshme jetësore. Nëse institucionet, përkatësisht nëse Bashkësia Islame, për shkak të ngurtësisë hierarkike të veprimit injoron apo dëmton individët e caktuar, atëherë kjo paraqet shpërfillje të trashëgimisë së artë në njerëz apo ide. Individët që me idetë dhe veprat e tyre shënojnë dekada të tëra është krim të injorohen për shkak të tekeve dhe interesave të ngushta. Është e tmerrshme që punëtorët që bartin barrën intelektuale të muslimanëve tek ne, përball vetvetes dhe përballë të tjerëve, të trajtohen jodinjitetshëm, madje të zhantazhohen nga individë që zanat e kanë zhurmën, propagandën, munafikllëkun, ideologjinë.
Lideri brenda Bashkësisë Islame
Lideri në përgjithësi dhe në Bashkësinë Islame në veçanti është vështirë të përkufizohet, por të gjithë mendojnë se ai duhet të jetë i ditur, i edukuar, i dinjitetshëm, organizator, komunikues, me sens udhëheqësi etj. Secili pretendues për udhëheqës duhet ta ketë parasysh kohën kur jeton dhe vendin në të cilin mendon të veprojë. Nëse ai pretendent sheh se kolegët e tij potencialë, kryeimamët, imamët, profesorët e medreseve, nëpunësit fetarë të ndryshëm janë një brez ndryshe, një brez që ëndrrat i sheh ndryshe, nuk duhet kandiduar apo nuk duhet pranuar kandidaturën. Vetveten duhet parë tjetërkund, aty ku mund të jesh më i dobishëm për veten dhe të tjerët, e jo vetëm për veten. Kandidimi i pafund për poste udhëheqëse edhe njeriun më frymëzues, më inventiv, më kreativ do ta shterë përballë sfidave të kohës, nevojave aktuale, madje do ta diskreditojë. Nëse barrikadohemi në bindjen se unë jam për botën, se bota pa mua është asgjë ose pakgjë, kjo është shenjë që ne nuk jetojmë në kohën e duhur. Bindja se bota pa ne nuk ia vlen është edhe kundër përtëritjes së kuadrit të Bashkësisë Islame, është edhe kundër projekteve të veta, programeve të reja. Mungesa e ideve të reja, e programeve të reja, e projekteve të reja është varrosje për së gjalli.
Reformat kërkojnë dije, maturi dhe urtësi të pafund
Kur shtrohet nevoja e ndryshimit të ligjit të caktuar, nëpërmjet amandamentimit të ligjit apo edhe propozimeve të reja bëhet e qartë se ajo shoqëri është punëtore dhe se hartimi i ligjeve të reja tregon dinamikën e zhvillimit dhe cilësinë e asaj dinamike. Edhe reformat brenda Bashkësisë Islame janë të domosdoshme, natyrisht në fushat që mund të reformohen, në pajtim me kohën, vendin dhe rrethanat e kohës. Kur këto ndryshime e reforma i përcjell debati publik, propozimet e ndryshme gjejnë hapësirë në të mirë të njerëzve. Këto reforma duhet t’i përcjellë dija e specializuar nga specialistët, të cilët duke përdorë urtësinë, maturinë dhe shkathtësinë e duhur, ofrojnë mundësi për realizime të duhura.
Bashkësia Islame dhe përzierja e saj në politik
Duke u nisur nga parimi i ndarjes së fesë nga shteti, sepse shteti është laik, shumë politikanë deklarojnë se feja nuk duhet të përzihet në politikë. Por, edhe shumë fetarë deklarojnë se politika nuk duhet ndikuar në fe. Jemi dëshmitarë të dy krahëve sesi përzihen në çështjet ditore, duke prodhuar zhurmë, emocione e madje edhe ofendime. Shpeshherë politikanët, sikur këto ditë ministri i ‘policisë’ i Kosovës, kërcënojnë nga pozita që kanë, përdorin një gjuhë tejet të ulët, vetëm e vetëm për të mbuluar dështimet e tyre politike apo profesionale.
Mbajë mendimin që përkundër laicitetit të shtetit, nuk mund të ketë ndarje me ‘brisk’ të fushës së politikës dhe fesë, është vështirë të ndahet fundi i njërës dhe fillimi i tjetrës dhe në pajtim me këtë, mospërzierja është e pamundur. Por, kjo përzierje duhet të jetë cilësore, e matur dhe në dobi të mjedisit dhe popullatës. Mendoj se përzierja e fesë në shoqëri duhet të jetë aty ku nuk arrin dora e shtetit, sidomos në rastet sociale, ekonomike, arsimore, apo në fushat që tregohen të nevojshme në kohë të caktuara. Dua të shtojë se disa përzierje të Bashkësisë Islame, jo vetëm në Kosovë, kanë qenë jocilësore, me shumë zhurmë e britma, ngatërrim me çështjet ditore, duke kritikuar çdo gjë ekzistuese te shteti e duke mos ofruar asnjë ide.
Bashkësia Islame nuk është monopol i hoxhëve
Nëse Bashkësinë Islame e përbëjnë besimtarët dhe prijësit e tyre fetarë, sepse besimtarët nuk munden pa mësues e udhëheqës, por edhe hoxhët nuk munden pa besimtarët, atëherë edhe vendimmarrja edhe ekzekutivi duhet të jetë manifestim i kësaj përbërjeje.
Përjashtimi i besimtarëve në disa organizata të fesë (qofshin komunale apo në nivele të larta) dhe përbërja njëtrajtëshe e Këshillave të Bashkësisë Islame nëpër komuna vetëm prej hoxhëve, pa asnjë qytetarë besimtarë, është një klerikalizim i Bashkësisë Islame me pasoja afatgjate. Profesionalizimi i Bashkësisë Islame është amputim i vlerave të mirëfillta, i vlerave të përbashkësisë (ummetit).
Qëndrimi i Evropës ndaj muslimanëve dhe i muslimanëve ndaj Evropës
Evropa e pas Luftës së Dytë Botërore në parim ka miratuar një qëndrim inkluziv, për një Evropë të hapur ndaj të tjerëve, pra edhe ndaj muslimanëve. Disa milionë muslimanë, qoftë si punëtorë krahu, qoftë si tregtarë, qoftë si intelektualë, jetojnë në Evropë. Disa si vendorë e disa si emigrantë. Edhe pse Evropa ata i ka pranuar si nevojë konkrete, viteve të fundit, e djathta evropiane bën veprime joevropiane, të skajshme, duke atakuar vlerat e bashkëjetesës, duke sulmuar vlerën më të çmueshme, jetën e muslimanëve në ato vende, si në Francë, Angli, Gjermani etj.
Është e rrugës që ne Evropën ta ndiejmë si “atdheun tonë” e jo si “atdhe të huajë”. Pjesëmarrja në përkufizimin e këtij atdheu është detyrim, sepse në këtë mënyrë pjesëmarrja jonë do të ndihmojë në përkryerjen e mekanizmave për sendërtimin e bashkëjetesës. Islamofobi do të ketë gjithmonë, por ne duhet t’i mbajmë gjallë dhe funksionalë mekanizmat për ruajtjen e bashkëjetesës dhe atdheut të përbashkët. Zgjidhjet nuk duhet pritur nga jashtë, por brenda Evropës dhe me evropianët, si bashkëqytetarë me bindje të ndryshme fetare.
“Pranvera arabe”, si ta kuptojmë
Shpjegimet për “pranverën arabe” janë të ndryshme. Disa i glorifikojnë këto ndodhje e disa në të shohin ‘dimrin’ arab. Pritjet fillestare nuk u realizuan, madje në këtë hallakamë arabe shihen qartë duart e huaja, një ‘nokaut’ i ri për arabët, muslimanët. Mirëpo, skenat që i shohim në televizione na tmerrojnë, na lënë pa gjumë, na traumatizojnë. Tërë këto kryesisht po ndodhin në zonën kulturore arabe. Pasojë e këtyre zullumeve kemi vrasje, derdhje gjaku, dëbime, gjymtime, rrënime, lot... Edhe më shumë se vrasjet e rrënimet mua më brengos gjendja se në këto qytete e metropole (Kajro, Damask, Bagdad, Tripoli, Bejrut ...) ka dhjetëra mijëra medrese, mijëra universitete/fakultete islame, disa qindmijë xhami dhe shumë e shumë institucione fetare islame. Në të gjitha këto objekte mësohet islami, shpjegohet islami, përcillet islami! Lexohen me miliona faqe Kur’an brenda ditës, me mus’haf në dorë apo përmendsh, falen me miliona reqate namaz. Përkundër të gjitha këtyre, muslimanët vriten mes veti. Vija e frontit është mes shiitëve dhe sunitëve, mes ehli’ssunetit e xhematit dhe vehabistëve, kadianistëve e ahmedistëve, mes fundamentalistëve dhe shekullaristëve, mes ushtrisë dhe popullit, mes ekstremistëve dhe të urtëve. Nëse një pjesë e tyre luftojnë për interesa materiale, apo për prestigj shoqëror, atëherë një pjesë e ndjeshme prej tyre luftojnë në emër të bindjeve të caktuara fetare, natyrisht të gabueshme.
Duhet dal me oferta paqeje, sepse edhe oferta më e keqe është më e mirë se vrasja. Muslimanët e mençur dhe homologët e tyre hebraikë dhe kristianë duhet të ofrojnë projekte me synim paqeje, mirëkuptimi, solidariteti.
Por, projekte të tilla duhet të ofrohen edhe brenda muslimanëve, sepse vrasja e gjaku nuk kanë të ndalur. Për fillim nuk është me rëndësi fajtori, por me rëndësi është një moratorium i qetësisë, paqes, mirëkuptimit ndërmedhhebor. Çështjet kontestuese duhet t’u lihen ekspertëve e jo diletantëve apo profiterëve, të cilët në çdo kohë duan mjegull. Medresetë në vendet arabe duhet të dalin nga kallupet mesjetare të mësimdhënies dhe botëkuptimeve. Këtë reformim të sistemit shkollor e tentoi Muhammed Abduhu, por pësoi humbje përball shkollave shkretinore dhe shejhëve shkretinorë. Këta shejhë, të korruptuar moralisht dhe materialisht, lidhën një pakt të pashkruar me regjimet diktatoriale arabe, duke e kursyer njëri-tjetrin nga akuzat e ndërsjella dhe duke e mbajtur situatën në gjendje të ngrehur, penguan çdo përmirësim. Thjesht, konfliktet sektare brendamuslimane janë rezultat i shpjegimit dhe botëkuptimit fisnor të Islamit, larg kulturës dhe qytetërimit të kohës, jashtë mendimit ndryshe, jashtë tjetrit dhe si rezultat kemi gjendjen aktuale. Para shumë viteve pata shkruar një shkrim (Nexhat Ibrahimi, Domosdoshmëria e dialogut dhe e mirëkuptimit ndërmuslimanë, në: http://www.zeriislam.com/artikulli.php?id=490) por edhe pata përkthyer një tjetër (Kutb Mustafa Sano, Parimet e bashkëpunimit ndërmjet medhhebeve islame, (në botim e sipër në Logos-A, Shkup), por si shpërblim për këtë angazhim timin nga shejhët shkretinorë dhe arganët e tyre kam përjetuar me qindra ofendime të rënda, qindra etiketime të tipit se unë jam shi’it, sufi etj. Madje edhe botuesit zyrtarë janë përgjigjur se për shkak të thirrjes për pajtim mes shi’izmit, sufizmit, vehabizmit e tjera nuk mund ta botojnë. Pas shpine komentet e tyre kanë qenë edhe më tmerruese. Mjerim – ky është komenti im. Të bëhem më i qartë. Jo se shkrimet e mia do t’i ndalnin konfliktet, por sepse si koncept nuk jemi pjekur të ecin para, kurse dallimet intelektuale t’i trajtojmë afirmativisht. Disa intelektualë të këtij lloji, ekstremistë, kanë ngatërruar Islamin hyjnor dhe Islamin historik. Ata historiken e kanë ngritur në shkallë hyjnore dhe kanë mbyllur çdo mundësi të të kuptuarit bashkëkohor të Islamit.
Konflikti ndërmusliman faj i brendshëm apo komplot botëror
Kur ndodh ndonjë e padëshiruar në botën muslimane, muslimanët ‘të keqen’ para së gjithash e shohin nga jashtë dhe shumë rrallë nga brenda. Kësaj i ndihmojnë edhe spekulimet e shumta, siç ndodh këto ditë me ISIL-in (Halifatin islam të vetëshpallur në Irak dhe Siri). Edvard Snowden vetëm e ndihmoi spekulimin e vet muslimanëve se ISIL-i është projekt izraelit, amerikan, apo i të dyve, me qëllim të përdhosjes së Islamit dhe muslimanëve. Disa këtë rrëmujë e shpjegojnë me hadithet e Muhammedit a. s. për shfaqjen e Dexhallit në Fundin e Botës. Personalisht nuk e mohoj mundësinë e këtillë, që ISIL të jetë projekt izraelit apo i ndonjë shërbimi tjetër sekret. Por, edhe të jetë ISIL-i prodhim i huaj, kjo nuk më habit, sepse kjo mënyrë e luftës është e vjetër me mijëra e mijëra vjet. Gjithashtu, kjo nuk ndodh për herë të parë sot mes muslimanëve, sepse edhe më herët kjo ka ndodhur dhe muslimanët janë përçarë madje deri në gjakderdhje të mëdha. Por, a e kemi shtruar pyetjen, përse përçahemi? A mund të detyrohemi në përçarje nëse nuk duam ne. Do ta kujtoj në rast: në vitin 1981, në fund të ligjëratës rreth tefsirit modern me profesorin tim Husein ef. Gjozon, u theksua edhe Sejid Kutubi dhe në vërejtjen time se fajet kryesore për krizën te muslimanët në botë e kanë rusët dhe amerikanët. ai më tha: pajtohem se rusët dhe amerikanët kanë faj, por a janë fajtorë ata për korrupsionin e muslimanëve, për mospunën, për mosmësimin, për ateizmin etj etj. Pra, për të pasur sukses Izraeli, apo USA, duhet të ketë bashkëpunëtorë nga mesi ynë. Gjithashtu, çuditem sesi këtë gjendje disa muslimanë e lidhim me Dexhallin dhe rolin e tij negativ. Sa herë që muslimanët i godet ndonjë e keqe, një grup dijetarësh në vend të analizave të mirëfillta të keqen e shohin diku larg, të keqen e shohin diku në errësirë, por edhe dritën, shpresën e shohin nga qielli, nga mesianistët, e jo nga brendia e vet. Të tillët harrojnë se dexhallët jemi vetë ne dhe roli ynë destruktiv në shoqëri.
Uniteti i lënduar rëndë
Uniteti islam aq i përfolur ndër muslimanët pas të gjitha këtyre konflikteve dhe gjakderdhjeve është lënduar rëndë dhe do të jetë e nevojshme punë e madhe për rikthimin e unitetit të mirëfilltë. Ndoshta mund të flasim për unitet emocional, por jo edhe për unitet ritual, medhhebor, politik etj. Këtë unitet musliman e kanë prishur më së shumti ideologji të skajshme brenda muslimanëve, duke përdorur mekanizma fetarë, si anatemën dhe përjashtimin fetar (tekfirizmin), të cilat janë prodhime të regjimeve të caktuara dhe të elitave fetare të nënshtruara atyre. Edhe pse organizohen takime të shumta për tolerancë e mirëkuptim ndërmedhhebor, luftërat e konfliktet janë në çdo anë.
Uniteti fetar
Trojet shqiptare kanë kultivuar Islamin sipas interpretimit hanefij tash njëmijë vjet. Qysh në atë kohë muslimanët e Ballkanit (në Mbretërinë Bullgare në Mesjetë) kanë shkuar në Halep, Siri, për ta mësuar Islamin dhe janë kthyer në vendlindje. Këtë fakt e përmend edhe Thomas W. Arnold në veprën Historia e përhapjes së Islamit (Prishtinë, 2004). Kjo formë e perceptimit të Islamit është fuqizuar edhe më shumë gjatë kohës së Perandorisë Osmane. Kjo tërësi homogjene për shekuj filloi të rrënohet dekadat e fundit, e sidomos nga paslufta e Kosovës në vitin 1999. Me shoqatat arabe dhe nëpërmjet studentëve tanë sidomos në Arabi dhe Jordani u futën ideologji të shumta, që nxitën konfuzion të paparë. Vendi ynë që me shekuj kultivonte besimin islam sipas shpjegimit maturidi dhe jurisprudencën sipas shpjegimit hanefi, filloi të lëkundet nga ashpërsia e palës tjetër. Edhe pse zyrtarisht Bashkësia Islame mëson mësimet maturidiste-hanefiste, praktikisht janë futur ide të tjera, sidomos vehabiste të skajshme dhe shi’ite në heshtje.
Prandaj, e shoh të rrugës që të gjithë intelektualët muslimanë që u ka mbetur deri te ekzistimi i muslimanëve, që e duan një Islam të fuqishëm dhe intelektualë, shpirtëror dhe larguamës, duhet ta ngrenë zërin kundër depërtimeve të rrymave të skajshme, kundër zhurmave dhe jovlerave, kundër grupeve përjashtuese kurse për vlerat e mirëfillta. Muslimanët kanë cilësi për t’iu qasur shekullit 21!