IMAM MATURIDIU: PËRFAQËSUESI KRYESOR I SHKOLLËS HANEFITE NË RAJONIN E TRANSOKSANISË

Ebu Mensur Muhammed b. Muhammed b. Mahmud është i lindur në Maturid, një vend në Samarkand, Transoksani. Data e sajtë e lindjes së tij është e panjohur, por duket se ka lindur gjatë sundimit të halifit Mutevekkil (232–247 h./847–861 e.r.). Vdiq në qytetin e njëjtë në vitin 333 h./944. Ishte themelues i shkollës teologjike brenda traditës sunite të Islamit, e cila mban emrin e tij.

Nuk ka shumë të dhëna për jetën e Maturidiut. Ka një njoftim e cila e përcjell prejardhjen e tij prapa deri te Ebu Ejjub Ensariu, Shoku i njohur i Pejgamberit a.s. dhe pohon se ka prejardhje arabe. Mirëpo, ky pohim nuk ka kurrfarë mbështetje të fuqishme në shkrimet e tij as në shkrimet e biografëve. Nuk ka shënim për udhëtimin e Maturidiut jashtë Samarkandit përkatësisht Transoksanisë. Së këndejmi, duket se tërë jetën e ka kaluar në qytetin e vet të lindjes i cili ishte nën sundimin e dinastisë Samanide. Gjatë jetës së tij, pasuesit e grupeve të ndryshme muslimane, siç janë mu’tezilitët, kerramitët, hashevitët, shi’itët dhe ismailitët, sikur edhe religjionet tjera, kanë qenë aktive në këtë rajon.

Maturidiu arriti arsimimin e tij nga dijetarët hanefi nga rajoni i tij. Kështu, ka mësuar para Ebu Nasr Ahmed b. Abbas Ajadiut, Ebu Bekr Ahmed b. Is’hak Xhuzxhaniut, Muhammed b. Mukatil Raziut dhe Nusajr b. Jahja Belhiut. Nuk ka shumë të dhëna për këta dijetarë. Duket se ishin të specializuar në fikh (të drejtën islame) dhe usuli-fikh (jurisprudencë) sikur edhe në teologji. Nëpërmjet tyre zinxhiri i mësuesve të Maturidiut kthehet deri te Ebu Hanife. Pra, ekziston lidhje e afërt ndërmjet pikëpamjeve të Ebu Hanifes dhe Maturidiut. Ai u bë përfaqësuesi kryesor i shkollës hanefite në rajonin e Transoksanisë. E mbronte mësimin sunit nga grupet tjera në këtë rajon dhe se me ndihmën e tij shkallë-shkallë u vendos tradita sunite. Pasi që i ka përpunuar dhe sistemuar qëndrimet teologjike të Ebu Hanifes, nocioni “hanefi” me ngadalë ka filluar të bëjë vetëm me shkollën juridike, derisa nocioni “maturidi” u bë emërtim i shkollës teologjike.

Maturidiu ka shkruar vepra të shumta, jo vetëm në teologji, por edhe në komentimin e Kur’anit dhe në jurisprudencë, dhe ka mësuar nxënës të shumtë sikurse janë Is’hak b. Muhammed Samerkandiu, Ali b. Se‘id Rustugfaniu, Nasr b. Muhammed Samerkandiu dhe Abdu’l-Kerim b. Musa Bezdeviu.

 Pikëpamjet teologjike të Maturidiut mund të gjenden në kryeveprën e tij Kitab’ut-Tevhid (Libri mbi monoteizmin). (Libri është botuar në shqip: Ebu Mensur El-Maturidi, Kitabu’t-tevhid (Libri mbi monoteizmin), Logos-A, Shkup, 2018, botim bilingual arabisht-shqip – përkthyesi) 

Maturidiu e fillon veprën e vet duke shpjeguar që ndjekja e verbër e mësimeve të tjetrit është e papranueshme. Besimi i vërtetë duhet të jetë i bazuar në argumente intelektuale. Për Maturidiun, ka tre burime të dijes: lajmet (haber), shqisat (havvas) dhe arsyeja (akl); Maturidiu përpiqet t’i argumentojë parimet e religjionit me anë të këtyre burimeve. Së këndejmi, krijueshmëria e botës mund të vendoset në këto tri mënyra. Kur’an qartë thekson se çdo gjë është e krijuar. Nga ana tjetër, argumentet vrojtuese (perceptuese), sikurse janë argumentet e varësisë, korruptimit, përbërjes, përfundimësisë, ndryshimit dhe shpërbërja e botës, të gjithë tregojnë që bota është e krijuar.  

Më tutje, ai përkrah krijueshmërinë e botës me argumentet nga natyra e materies, kohës, lëvizjes dhe qetësisë, potencialitetit, shkakësisë, sferave qiellore dhe natyrës së përzierjes së të mirës dhe të keqes në botë. Pra, bota është e krijuar. Atëherë duhet të jetë krijuar nga ana e agensit (vepruesit) të amshueshëm, gjallë, dijshëm dhe fuqishëm, i cili mund të jetë vetëm Zoti.

Maturidiu përpiqet ta argumentojë të qenit e Zotit me anë të argumentit kozmologjik dhe teologjik. Ai pastaj përpiqet t’i vërtetojë cilësitë e Zotit. Zoti nuk është trup, as në vend as në kohë. Mirëpo, Zoti nuk do të shihet në xhenet. Maturidiu nuk mendon se është e përshtatshme të verifikohet ajo që është theksuar në Tekst sepse duhet të pranohet pa ndryshime dhe pa të kuptuarit e domethënies së asaj që shkruan (bila kejfe). Ngjashëm me këtë, të ulurit e Zotit në fron duhet të pranohet, por kjo nuk domethënë që Ai është në vend. Zoti është i amshueshëm, i përhershëm, i vetëmjaftueshëm dhe unik. Atributet si dija, jeta, dëgjimi, shikimi, të folurit, gjithëfuqia, vullneti, krijimi, mëshira dhe atributet tjera të të qenit (dhatijjeh, of essence) dhe atributet e veprave (fi’lijjeh, of actions) duhet t’i përshkruhen Zotit. Të dy këto lloje të atributeve janë të amshueshme.  

Duke e përkufizuar besimin (iman), Maturidiu thekson që ai përbëhet prej miratimit (tasdik). Besimi nuk supozon dijen mbi lëndën e besimit, as është e kushtëzuar me vepra të mira. Feja përbëhet prej besimit në Zotin, melaqet e Tij, dhe pejgamberët.

Maturidiu përpiqet të vërtetojë nevojën e dërgimit të pejgamberëve me argumente të shumta. Edhe pse mund të arrijmë dije të caktuar për realitetin me anë të arsyes, nuk mund ta arrijmë tërë dijen e cila është e domosdoshme. Së këndejmi, kemi nevojë për dikë i cili mund ta pranojë dijen e nevojshme nëpërmjet shpalljes dhe t’i njoftojë të tjerët. Përveç kësaj, ekzistimi i kontesteve mes njerëzve kërkon dërgimin e dikujt me aftësi të gjykojë mes tyre në pajtim me drejtësinë, ndërsa ky njeri mund të jetë vetëm i dërguari i cili është i përkrahur me shpallje hyjnore. Maturidiu përpiqet ta argumentojë pejgamberinë e Muhammedit a.s. nëpërmjet mu’xhizeve të tij, duke treguar në jetën e tij të përsosur morale dhe epërsinë e mësimeve të tij.

Duke diskutuar për veprat e njeriut, Maturidiu thotë se njeriu është i lirë në përcaktimin e veprave vetjake dhe se ai këtë në mënyrë psikologjike e di. Veprat e njeriut i krijon Zoti, por njeriu i fiton (kesb). Në këtë kuptim, Maturidiu afirmon fuqinë në njeriun në mënyrë që ta bëjë përgjegjës për veprat vetjake. meqë veprat i krijon Zoti, qoftë të mira apo të këqija, ato Ai i paracakton (kader) dhe i Cakton (kada’). Mirëpo, të bërit e tyre nuk është vepër e Zotit, por e njerëzve. Pra, Maturidiu vërteton nga një anë fuqinë reale te qeniet njerëzore, a nga ana tjetër ta ruaj fuqinë absolute të Zotit. Në këtë kuptim, qëndrimi i tij mund të quhet i mesëm, ndërmjet mu’tezilitëve dhe esh’aritëve.

Duke i trajtuar problemet etike, Maturidiu konsideron që vlerat kanë ekzistim objektiv, që munden të njihen me anë të arsyes. Por, racionalizmi i tij dallon nga ai mu’tezilit. Për të, edhe realiteti objektiv i gjerave dhe arsyeja vijnë nga Zoti. Në këtë rast, nuk mund të ketë konflikt ndërmjet realitetit të gjerave dhe gjykimit etik të Zotit.

Maturidiu ka zhvilluar sistemin teologjik, i cili së bashku me sistemin e bashkëkohësit të tij Esh’ariut, u bë njëra prej shkollave mbizotëruese të Islamit sunit. Duke u marrë me çështjet teologjike, ai ka marrë qëndrim diç më racional sesa Esh’ariu. Mirëpo, gjithashtu ka shmangur racionalizmin e tepruar të mu’tezilitëve. Në pajtim me këtë, ka prezantuar një sintezë të re ndërmjet shpalljes dhe arsyes.

(Burimi i përkthimit: Oliver Leaman (ed.), The Biographical Encyclopedia of Islamic Philosophy, Reprint Edition, Bloomsbury Academic, 2015, fq. 310–311.)

 

Përktheu: ISN 

 

 

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme