Personazhi ynë është gjithmonë përballë Ebu Hasan Esh'ariut, si dy figurat e mëdha të menhexhit të Ehlu Sunnetit dhe Xhema'atit.
Është e vërtetë, historia e jetës së tij nuk është shqyrtuar gjerësisht nga historianët e famshëm si Ibn Kethiri, Ibn Halikani, Ibn Nedimi dhe Ibn Ethiri në të dhënat e tyre historike. Megjithatë, gjithë madhështia e nxënësve të tij dhe shkrimet e tij na kanë treguar se sa i madh është personazhi i karakterit tonë. Pa dyshim, ndjekësit e tij e quajtën personalitetin tonë Reis Ehlus-sunnah (udhëheqës i grupit Ehlussunnah), El-Imam ‘uz-Zahid (udhëheqës zahidëve) dhe disa nofka të tjera.
Ai ka prejardhjen e plotë të Muhammed bin Muhammed bin Mahmud ose i cili gjithashtu quhet Ebu Mensur Maturidiu.
Në kapakun e dorëshkrimit të librit Et-Tevhid nga Ebu Mensur Maturidiu shkruhet se Ebu Mensuri është pasardhës i Ebu Ejub Halid bin Zaid Ensariut, një personalitet që ishte mik i Pejgamberit a.s., kurse shtëpia e të cilit ishte e para që e priti Pejgamberin a.s. në qytetin e Medinës kur u shpërngul nga qyteti i Mekës. Këtë e thotë edhe Kemaluddin Ahmed Bejadi në librin Isharat ‘ul-Meram min Ibarat ‘il-Imam.
Ebu Mensur Maturidiu lindi në fshatin Maturid, një fshat në zonën e Samarkandit të asaj që tani është pjesë e Uzbekistanit. Lidhur me vitin e lindjes së tij, Dr. Muhamed Ejub deklaroi se Ebu Mensur Maturidiu u lind rreth vitit 238 hixhri. Ai jetoi në epokën e përparimit në rajonin e Azisë Qendrore si qendër e qytetërimit islam. Ndër dijetarët e mëdhenj të bashkëkohësve të tij dhe me origjinë nga e njëjta zonë me të ishin Muhamed bin Ismail Buhariu (vd. 256 h.) dhe Muslim bin Haxhaxh Nejsaburi (vd. 261 h).[1]
Stili i të menduarit Ebu Mensur Maturidiut
Meqenëse halifi Mutevekkil, i dinastisë abaside, i abrogoi mësimet e sektit Mu’tezile në vitin 234 h., që atëherë mësimet e sektit Mu’tezile filluan të largoheshin nga zonat përreth Azisë Qendrore. Po kështu ndodhi me sektin Keramita, i cili arriti lavdinë e tij të predikimit në rajonin e Azisë Qendrore rreth viteve 261-278 h., me ndikimin e mësimeve Zoroastriane dhe disa mësimeve të tjera fetare që ishin të rrënjosura thellë në Azinë Qendrore. Kjo është edhe për shkak të vendndodhjes strategjike të rajonit të Azisë Qendrore si një rrugë tregtare dhe e përshtatshme për takime kulturore nga Kina kontinentale në rajonin e Lindjes së Mesme. Kështu, Ebu Mensur Maturidiu u shfaq si figura më me ndikim e Sunetit në Azinë Qendrore me të gjitha shkrimet e tij që ishin në gjendje të thyenin të gjitha mendimet e sektit të devijuar me argumente të forta logjike. Përdorimi i arsyetimit të mjaftueshëm dhe të ekuilibruar është stili i të menduarit të Ebu Mensur Maturidiut në shkencën e akaidit, i cili gjithashtu i referohet karakterit të mendimeve të Imam Ebu Hanifes. Prandaj, nuk është ekzagjerim që mendimi i sjellë nga Ebu Mensur Maturidiu është një plotësues i argumentit të ndërtuar nga Ebu Hanifja në librin El-Fikh ‘ul-Akber. Në fakt, deri më tani shumica e ndjekësve të mësimeve të Ebu Mensur Maturidiut janë ndjekës të shkollës së jurisprudencës së Ebu Hanifes në fushën e jurisprudencës. Natyrisht, kjo është shumë e ndryshme nga sekti Mu’tezile, i cili i jep përparësi arsyes mbi tekstet e Kur'anit dhe Hadithit. Siç tha Dr. M. Ebu Zehre:
“Menhexhi maturidit përdor argumente të mëdha arsyetimi pa e tepruar dhe ekzagjeruar. Ndërkohë, menhexhi esh'arit iu përmbajt argumentit të Naklit dhe e vërtetoi atë me prova të arsyetuara. Kështu që disa dijetarë të akaidit pohojnë se menhexhi esh'arit është ndërmjet mendimeve të sektit mu’tezile dhe dijetarëve të fikhut dhe ekspertëve të hadithit, ndërsa menhexhi maturidit është midis mendimeve të sektit mu’tezile dhe esh’arite.”[2]
Është e vërtetë, ka dallime të mendimeve ndërmjet grupit Maturidi dhe grupit Esh'ari për disa çështje, siç është natyra e besimit të njerëzve që janë taklid (pasuesit e një shkolle mendimi) dhe të ngjashme, si rezultat i analogjisë së mendimeve të ndryshme. Megjithatë, këto dallime nuk e bëjnë një grup të mos besojë dhe të konvertojë një grup tjetër. Në fakt, disa nga dijetarët kryesorë të shkollës së mendimit esh'arit ishin disa herë më të prirë ndaj mendimit të Ebu Mensur Maturidiut dhe anasjelltas.
Siç vërehet nga Muslihuddin Mustafa Kastali (vd. 901 H):
"Dhe dijetarët e tahkikut (hulumtimit) nga dy grupet (Maturidi dhe Esh'ari), ndërmjet të dyve, nuk i atribuojnë njëri-tjetrit herezi dhe devijim".[3]
Qëndrimi i moderuar në trajtimin e arsyes dhe nassit është theksuar edhe nga Ebu Mensur Maturidiu në librin Et-Tevhid. Ai tha: "Feja mund të njihet vetëm duke dëgjuar (nass) dhe me arsye."
Prandaj, Ebu Mensur Maturidiu jep një kufizim të qartë në të gjithë punën e tij mbi përdorimin e arsyes. Dhe ka raste kur mendja duhet t'i nënshtrohet nassit autentik në Kur'an dhe Hadith. Veç kësaj, Maturidiu gjithashtu citoi shumë mendime të Aristotelit për dhjetë bazat e logjikës në librin Et-Tevhid. Kjo tregon gjerësinë e pafundme të njohurive të tij jo vetëm duke shqyrtuar arsyetimin e sekteve në Islam, por edhe duke shqyrtuar zhvillimin e arsyetimit të filozofëve të lashtë grekë.
Veprat e Ebu Mensur Maturidiut
Prej veprave të Ebu Mensur Maturidiut, të cilët janë të famshme në shkencën e besimit, janë libri Et-Tevhid, libri Sherh ‘ul-Fikh ‘ul-Ekber, libri El-Mekalat ‘ul-Maturidi, libri Bejan Vehm ‘il-Mu'tezileh, libri Redd Veid ‘ul-Fussak, libri Redd ‘ul-Usul ‘il-hamseh, libri i Redd Tehdhib ‘ul-Xhedel, libri Redd Awail ‘il-Edil-leh, libri i Redd 'ala Karamitta, libri Akaid ‘ul-Maturidij dhe libri Redd ‘ul-Imameh. Ndërsa vepra e tij menumentale në shkencën e tefsirit të Kur'anit është libri Te'vilet ‘ul-Maturidi ose Te'vilet Ehlus Sunnet. Vepra monumentale e Ebu Mensur Maturidiut në shkencën e usuli-fikhut është libri El-Xhedel dhe libri Me'ahidh Esh-Shara'i’i. E gjithë kjo tregon se Ebu Mensur Maturidiu ishte një udhëheqës i usuli-fikhut të shkollës hanefi, i cili gjithashtu ishte ekspert në tefsir dhe akaid.[4]
Mësuesit e Ebu Mensur Maturidiut
Figura jonë ka studiuar me Ebu Bekr Ahmed Xhuzxhaniun, Ebu Nashr Ahmed ‘Ijadin, Nusair bin Jahja Belhiun (vd. 268 h.) dhe Muhamed bin Mukatil Raziun (vd. 248 h.). Të gjithë mësuesit e Ebu Mensur Maturidiut e çuan zinxhirin e diturisë tek Ebu Sulejman bin Musa Xhuzxhani. Ndërkohë, Ebu Sulejman ibn Musa Xhuzxhaniu ia çoi zinxhirin e diturisë Kadi Ebu Junusit (vd. 182 h.) dhe Muhamed ibn Hasanit (vd. 189 h.) të cilët ishin dy nxënësit më të mirë të Imam Ebu Hanifes.
Nxënësit e Ebu Mensur Maturidiut
Dishepujt më të famshëm të Ebu Mensur Maturidiut ishin Ebu Kasim Samarkandiu (vd. 342 hixhri), Ali Rustagniu (vd. 350 hixhri) dhe Ebu Muhammed Abdul-Kerim bin Musa Pezdeviu (vd. 390 hixhri).[5]
Është transmetuar se Ebu Neshr Ahmad el-‘Ijadh, një nga mësuesit e Ebu Mensur Maturidiut, nuk filloi kurrë të fliste në ceremoninë e tij përpara se Ebu Mensur Maturidi të ishte i pranishëm. Dhe kur Ebu Neshr Ahmed Ijadi e shihte Ebu Mensur Maturidiun duke ardhur nga larg, atëherë ai e përshëndeste këtë dishepull të dashur me recitimin e ajetit “Dhe Zoti yt krijon dhe zgjedh çfarë të dojë…”.[6]
Fundi i jetës së Ebu Mensur Maturidiut
Studiuesit historikë pajtohen se Ebu Mensur Maturidiu vdiq në vitin 333 h. Ebu Mensur Maturidiu vdiq në moshën rreth 100 vjeçare dhe u varros në rajonin e Samarkandit. Në varrimin e tij, një nga dishepujt e tij me emrin Ebu Kasim Samarkandi shkroi mbi gurin e varrit të Ebu Mensur Maturidiut me një lavdërim të bukur për mësuesin:
“Ky është varri i atij, frymët e të cilit tejkaluan çdo shkencë,
derdhi gjithë mundin për ta përhapur dhe për ta mbledhur atë,
veprat (gjurmët) e tij janë të lavdishme në këtë fe,
kurse frytet e jetës së vet i ka vjelë mirë-mirë.”[7]
Përktheu[8]:
N. Ibrahimi
[1] Shih tezën e doktoratës së Dr. Muhammed Ejubit në Universitetin Dar ‘ul-Ulum, Kajro, me titull “El-Islam ve’l-Imam ‘ul-Maturidi”.
[2] Ebu Zahrah, Kitab Tarih ‘ul-Medhahib ‘il-Islamijjeh, Dar ‘ul-Fikr ‘il-Arabi, Kajro, 2008, vëll. 1, fq. 212.
[3] Hashijeh El-Kastali ala 'Akaid ‘in-Nesefijjeh, Maktab el -Mutsanna, Bagdad, 1979, fq. 17.
[4] Ebu Manshur el-Maturidi, Hajatuhu ve Ara’uhu el-‘Akdijjeh, Dar ‘ut-Turk, Tunizi, 1989, fq. 62.
[5] Dr. Ahmad Hamdi Ahmad Ali, Xhuhud ‘ul-Medreset ‘il-Maturidijjeh, Mektebet ‘ul-ez’herijjeti li ‘t-Turath, Kajro, 2017, fq. 35.
[6] Kur’ani, El-Kasas, 68.
Ahmed bin Auud el-Hazb, el-Maturidiyyah Dirasatan ue Tahkiqan [Riyadh: Dar al-‘Ashimah], 1992, fq. 98).
[7] Ahmed ibn Auud El-Hazb, El-Maturidiyyatu, Dirasatan ve Tahkikan, Dar ‘ul-Asimeh, Riad, 1992, fq. 97.
[8] Muhammad Tholhah al Fayyadl, Abu Manshur al Maturidiyy dan Prinsip Dasar Teologinya, në:
https://pcinusudan.com/2021/01/abu-manshur-al-maturidiyy-dan-prinsip-dasar-teologinya/; ose: