Emri i tij i plotë është Ebu Mensur Muhamed bin Muhamed bin Mahmud Maturidij Samerkandij. Fjala Maturidi është një referencë për qytetin e Maturidit, i cili është një rajon pranë Samarkandit, përtej lumit Xhejhun (Amu Darja).
Maturidiu dhe Esh’ariu janë dy imamë të mëdhenj të cilët i kanë shqyrtuar dhe përmbledhur besimet e Ehlus-Sunnetit dhe Xhematit me argumentet naklij (tradicionale) dhe aklij (racionale).
Maturidiu u mbiquajt Imam ‘ul Huda (Udhëheqës i rrugës së vërtetë), Imam ‘ul Mutekel-limin (Udhëheqës i dijetarëve të Kelamit) dhe nofka të tjera. Këto pseudonime tregojnë pozitën e tij të lartë në sytë e muslimanëve dhe historianëve të kohës.
Megjithatë, edhe pse emri i tij ka qenë popullor, dhe megjithëse ndjekësit e tij të njohur si maturidistë janë përhapur kudo, jo shumë historianë kanë shkruar biografinë e tij.
Librat e historisë nuk e shënojnë me siguri vitin e lindjes së Maturidiut. Megjithatë, mund të thuhet se ai lindi në kohën e Halifit Abasid Mutevekkilit. Ai lindi njëzet vjet para Imam Ebu Hasan Esh’ariut.
Imam Ebu Mensur Maturidiu lindi nga një familje që e donte shkencën. Ai e studioi fenë qysh nga fëmijëria. Dhe ai kurrë nuk hoqi dorë nga përhapjen e mësimeve të Ehlus-Sunetit dhe Xhematit, duke e mbrojtur atë dhe duke u mbajtur fortë pas tij. Entuziazmi i tij nuk u shua kurrë në luftën me shkencën e kelamit, duke shkruar libra dhe duke mbështetur propozime, argumente dhe prova të forta.
MËSUESIT DHE SHKENCA
Në referencat historike përmenden vetëm disa mësues të Maturidiut. Të gjithë mësuesit e tij e përcollën më tutje diturinë e Imam Ebu Hanifes. Ndër mësuesit e Maturidiut janë Ebu Neshr Ahmed ibn Abbasij ibn Husejn Ijadlij, Ebu Bekr Ahmed Xhuzaxhanij, Nushejr ibn Jahja Balhij dhe Muhammed ibn Mukatil Razij.
Për sa i përket njohurive, Maturidiu zotëroi Te'vilin e Kur'anit, Usuli-Fikhun, Shkencën e Kelamit dhe të ngjashme. Ai studioi shkencat aklij (racionale) dhe naklij (tradicionale) me shumë mjeshtëri dhe thellësi. Ai punoi deri në hollësi për t'u bërë një imam kryesor në shkencën e Fikhut, Te'vilit të Kur'anit dhe Shkencës së Kelamit.
Pas arritjes së njohurive dhe dijes së gjerë, Maturidiu u preokupua me mësimdhënie dhe edukim. Ai gjithashtu shkroi, hartoi dhe ia kushtoi tërë jetën e tij mbrojtjes së fesë islame dhe luftës për bindjet e Ehlus-Sunetit dhe Xhematit derisa më në fund dijetarët e quajtën atë një imam i madh, luftëtar fetar dhe zbatues të akaidit të Ehlus-Sunetit. Maturidiu i ka mundur mu'tezilitët dhe heretikët e tjerë në forume të ndryshme debati derisa ata heshtën pa qenë në gjendje të japin një përgjigje.
LËVDIMI I PEJGAMBERIT
Pejgamberi s.a.s. ka thënë:
“Stambolli sigurisht do të çlirohet! Sa komandant i mirë është ai që do ta çlirojë, sa ushtarë të mirë do të jetë ushtarët që do ta çlirojnë.”(Ahmedi)
Dhe pas 800 vjetësh që Pejgamberi a.s. tha kështu, Kostandinopoja (tani Stambolli) u çlirua plotësisht nga një i ri, i quajtur Sulltan Mehmedi II Fatihu. Në mënyrë të tërthortë Pejgamberi Muhamed s.a.s. lavdëroi Sulltan Mehmedin II Fatihun, një udhëheqës i çlirimit të Kostandinopojës, i cili jetoi qindra vjet pas tij, një ndjekës i Imam Ebu Hanifes në fikh dhe një ndjekës i Imam Ebu Mensur Maturidiut në akaid. A është e mundur që Pejgamberi Muhammed s.a.s. të lavdërojë dikë që ka devijuar nga akaidi i tij? A e lavdëroi Pejgamberi a.s. një komunitet që devijoi nga feja e tij? Sigurisht që jo! Pra, mund të vërtetohet se akaidi maturidit është një akaid i vërtetë me ligjshmërinë e vet Resulullahut.
SHKRIMET
Imam Ebu Mensur Maturidiu ka kaq shumë shkrime, si në shkencën e kelamit ashtu edhe në akaid, usuli-fikh dhe te'vil të Kur'anit. Në shkencën e Kelamit, ai ka librat "Et-Tevhid", "El-Mekalat", "Er-Rredd‘ ala‘l-Keramitah", Bejanu Vehm ‘il-Mu'tezileh" dhe të tjerë.
Ndërkaq, në studimin e Usuli-Fikhut, në librin "Keshf ‘udh-Dhunun" përmendet se Imam Maturidiu ka dy libra, përkatësisht librin "El-Xhedel" dhe librin "Me'ahidh ‘sh-shera’i’i fi Usul’il-Fikh”.
Në librin "Beda'i 'us-Sana'i" përmendet se kur hulumtojmë ligjin se pesë kohëve e namazit burojnë nga ajeti:
“Pra qoftë lavdëruar Allahu sa herë që ju zë nata dhe sa herë që ju gdhijë dita. Qoftë lavdëruar në qiej dhe në tokë, dhe në mbrëmje e në drekë.” (Er-Rrum, 17-18).
Imam Ebu Mensur Maturidiu ka thënë:
“Ata kuptojnë nga ajeti se është obligim të falet pesë herë. Nëse të kuptuarit e tyre është si kuptimi i njerëzve në kohën tonë, atëherë ata nuk do të kuptojnë nga ky ajet më shumë se vetëm tesbihun e thënë në të.”
Veprat e Maturidiut në shkencën e Te'vil ‘ul-Kur'anit janë vëllimet e librit "Te'vilatu Ehl ‘is-Sunnet" ose i njohur gjithashtu si "Te'vilatu Maturidi fi ‘t-Tefsir" dhe "Te`vilat ‘ul Kur'an."
Imam Abdul-Kadir Kurasij komentoi këtë libër duke thënë se ky është një libër që nuk krahasohet me asnjë libër tjetër, në fakt asnjë nga librat e dijetarëve të mëparshëm në këtë shkencë nuk iu afrua atij.
Në këtë libër të Te`vilatit përmendet se kur interpretohet ajeti:
"Mojsiu tha: "Zoti im, ma trego (thelbin Tënd) që të të shoh ty". Allahu tha: "Nuk do të mund të më shihni kurrë Mua (në botë)". (El-A'raf, 143).
Imam Ebu Mensur Maturidiu ka thënë: "Të shohësh Allahun në botën tjetër sipas nesh (Ehlus-Suneh) është një gjë e sigurt dhe e vërtetë pa ngjashmërinë e Allahut me ndonjë gjë nga krijesat e Tij dhe pa u karakterizuar nga karakteristikat e krijesave." (El-A’raf, 143)
Ndër veprat e tjera të Maturidiut është libri "Sherh El-Fikh ‘ul Ekber" i cili është një sherh, shpjegim dhe përshkrim i librit të Imam Ebu Hanifes me titull "El-Fikh ‘ul-Ekber".
PARIMET THEMELORE TË TEOLOGJISË
Menhexh ‘ul-Maturidij, siç thuhet nga Dr. Ebu Zehreh në librin e Tarih’ul-Medhahib ‘il-Islamijjeh, përdor argumente të mëdha arsyetimi pa e tepruar dhe ekzagjeruar. Ndërkaq, Menhexh ‘ul-Esh'arij i përmbahet argumentit të Naklit dhe e vërteton atë me argumente të arsyetuara. Kështu që disa recensues të shkencës së akaidit konfirmojnë se Menhexh ‘ul-Esh'arij është ndërmjet mendimeve të sektit Mu’tazile dhe dijetarëve të jurisprudencës dhe ekspertëve të hadithit, ndërsa Menhexh’ ‘ul-Maturidij është midis mendimeve të sektit Mu’tazile dhe Menhexh ‘ul-Esh'arij.
Është e vërtetë, ka dallime të mendimeve midis grupit maturidit dhe grupit esh’arit për disa çështje, siç është natyra e besimit të njerëzve që janë taklid (pasuesit e një shkolle mendimi) dhe të ngjashme si rezultat i analogjisë së mendimeve të ndryshme. Megjithatë, këto dallime nuk e bëjnë një grup të mos besojë dhe të konvertojë një grup tjetër. Në fakt, disa nga dijetarët kryesorë të shkollës esh’arite gjithashtu ishin disa herë më të prirë ndaj mendimit të Ebu Mensur Maturidiut dhe anasjelltas.
Mustalahuddin Mustafa Kastaliu (vd. 901 h.) ka shënuar: "Dhe dijetarët e tahkikut nga dy grupe (El-Maturidij dhe El-Esh'arij), ndërmjet tyre nuk ia atribuojnë herezi dhe herezi njëri-tjetrit". (Hashijet’ ul-Kastali ala Akaid ‘in-Nesefijeh).
Qëndrimi i moderuar në trajtimin e arsyes dhe teksteve theksohet gjithashtu nga Ebu Mensur Maturidiu në librin “Tevhid”, ai thotë: "Feja mund të njihet vetëm duke dëgjuar (nass) dhe duke arsyetuar." Prandaj, Ebu Mensur Maturidiu jep kufij të qartë në të gjitha veprat e tij mbi përdorimin e arsyes. Dhe ka raste kur mendja duhet t'i nënshtrohet teksteve autentike në Kur'an dhe Hadith. Përveç kësaj, Maturidiu gjithashtu citoi shumë mendime të Aristotelit për dhjetë bazat e logjikës në librin “Tevhidi”. Kjo tregon gjerësinë e njohurive të tij që nuk kufizohet vetëm në shqyrtimin e arsyetimit të sekteve në Islam, por edhe në shqyrtimin e zhvillimit të mendimit arsyetues të filozofëve të lashtë grekë.
VDEKJA
Autori i librit "Kashf ‘uz-Zunun" tha se Imam Ebu Mensur Maturidiu vdiq në vitin 332 h. Por ai më vonë e tërhoqi këtë thënie dhe tha në përputhje me shumicën e historianëve se Maturidiu vdiq në vitin 333 h. Maturidiu u varros në Samarkand.
Përktheu[1]:
Nexhat Ibrahimi
[1] Burimi i përkthimit:
Muhammad Najmuddin, Abu Manshur al Maturidiyy and the Basic Principles of His Theology,në:https://pcinusudan.com/2021/01/abu-manshur-al-maturidiyy-dan-prinsip-dasar-teologinya/.
Muhammad Najmuddin, Abu Manshur al Maturidiyy dan Prinsip Dasar Teologinya, në: https://pcinusudan.com/2021/01/abu-manshur-al-maturidiyy-dan-prinsip-dasar-teologinya/.