HYRJE
Evenimentet e llojit të tribunave, tryezave, konferencave për personalitetin e Imam Maturidiut janë data me rëndësi parësore. Dikur në vendin tonë nuk dinim gjë për të, por vetëm 3-4 dekada më vonë para vetes kemi një varg veprash të zgjedhura, të përkthyera apo autoriale, për “Imamin e Udhëzimit”. Meqë për Imamin viteve të fundit është thënë mjaft sosh edhe në gjuhën shqipe, me këtë rast duam vetëm të përkujtojmë disa çaste që do të ndihmonin dhe orientonin në rrjedhat e studimeve të ardhshme.
IMAM MATURIDIU NË DISA PIKA
Imam Ebu Mensur Muhammed Maturidiu, mendohet se lindi më 238 h./853 g., në Maturid të Samarkandit. Edhe pse ka disa dilema rreth datës së lindjes, ajo nuk përbën problem, pasi që ai jetoi shumë dhe jetës së vet i dha kuptim përtej disa formaliteteve të sojit të datave.
Imam Maturidiu vdiq në vitin 333 h./944 g. në qytetin Samarkand, duke e varrosur në varrezat e njohura Xhakardiza. Dikur ky nënqiell quhej Maveraun-Nehri apo Transoksania, sot në shtetin e Uzbekistanit.
Tyrbja e Imam Maturidiut
Siç e dimë sigurt Imam Maturidiu jetoi në kohën e artë të ‘ehl’is-sunetit dhe xhematit’, por në këtë kohë jetuan edhe dy kolosë tjerë, Imam Esh’ariu në Irak (260 h.-324 h./873-/935 g.) dhe Imam Tahaviu në Egjipt (229-321 h./ 843-933 g.). Derisa Imam Tahaviu është pjesë e shkollës së Ebu Hanifes dhe nuk paraqet sistem në vete,[1] Imam Esh’ariu ka kaluar një ‘odisejadë’ intelektuale, nga mu’tezilizmi është konvertuar në hanbelizëm dhe pastaj nga hanbelizmi në esh’arizëm, ajo që quhet vetvetja, sistem i pavarur akaidor.[2]