Nexhat Ibrahimi
Disa vrojtime (personale) pas Ramazanit
Hyrje
Dinamika e jetës, vrapi pas kohës, shembja e vlerave fetare, morale, kulturore, tradicionale, rrëmuja ideore në vend dhe jashtë tij, ofertat e shumta nga jashtë, direkte nëpërmjet ‘satelitëve’ të tyre dhe indirekte nëpërmjet programeve humanitare e kulturore, janë tema që duhet ta brengosin çdo qytetarë të nënqiellit tonë. Me vite përpiqem t’i shpjegoj këto shqetësime (personale) me miqtë e mi, me kolegë e bashkëbisedues rasti, por disi mbesë i pakuptuar sa duhet, më së shumti me ndonjë miratim tundje koke, ose me frazat e zakonshme: mirë e ke ti por, ja, shumica janë kështu. Të paktë janë ata që shprehin pakënaqësi publike. Këtë vit (2014) vërejta një reagim cilësor nga Zekerija Ibrahimi nga Shkupi[1], nga Reshid Hafizoviq nga Sarajeva[2], Metin Izeti nga Tetova[3] dhe ndoshta ndonjë tjetër, secili nga këndvështrimi i tij, por kjo është shumë e paktë. Disa herë jam përpjekur të tërheq vëmendjen me shkrime nëpër gazeta e rrjete sociale, por pos ndonjë ‘like’ dhe përkrahje verbale asgjë më shumë.[4]
Si të shënohen ditët tona të mëdha?!
Çdo vit kalendarik na vizitojnë ditë të shënuara, si Beteja e Bedrit, Çlirimi i Mekës, Hixhreti, Nata e Kadrit, dy bajramet, Haxhi, Kurbani, Israja dhe Mi’raxhi etj. Muslimanët në shenjë sinqeriteti ndaj fesë dhe tërë asaj që vjen me te, si përkushtim i plotë ndaj Zotit duhet të sillen në nivel të ditëve të mëdha e të bekuara, duke frenuar individualizmin dhe stilin konsumues të jetës, për të arritur lartësitë e përshpirtshme.
Përse kjo? Sepse ramazani, por edhe ditët tjera të bekuara, janë specifike dhe të pakrahasueshme. Ramazani është temë e pashtershme, e lartë, por që nuk do të duhej ta kalojmë në gjera të parëndësishme dhe tejet të thjeshta. Gjëja më e madhe është se Krijuesi ynë vetëm në ramazan ka vendosur komunikimin me gjininë njerëzore. Në ramazan, Natën e Kadrit, filloi shpallja e Kur’anit. Gjinia njerëzore përfundimisht hyri në madhorinë e saj të përshpirtshme dhe mendore (... Sot ua përsosa fenë tuaj dhe ua plotësova begatinë Time ndaj jush. ... El-Ma’ideh, 3).
Siç e dimë, Kur’ani është Libri i Zotit në Tokë, i hapur për njerëzit, që t’i lexojnë shenjat e kohës së tyre dhe të mbledhin njohuritë e shtresuara në këtë libër, të cilat puthiten me nevojat e çdo brezi deri në Ditën e Fundit. Këtë bukur e ka shprehur Muhammedi a. s. në një hadith: “Kur’ani është sofra e Allahut në Tokë, andaj secili le të merr nga ajo dijen që i nevojitet.” E për ta bërë këtë, çdo njeri duhet ta heq terrin para syve (shqisave) të tij, siç mund ta vërejmë edhe nga surja El-Alek, ku në fillim ceket leximi e mësimi në emër të Krijuesit (Ikre’ bismi rabbike’l-ledhi halek) kurse në fund ceket sexhdja, akti më madhështor i njeriut kundrejt Allahut.
Bedri dhe Çlirimi i Mekës janë tema të veçanta. Më pak si fakte historike, e më tepër si modele të jetesës, si kriter të virtyteve në vendosjen e baraspeshës te ne dhe në ne, brenda dhe jashtë nesh. Konsumimi i tyre çon njeriun në lartësitë jo lehtë të kapshme, në thelbin e njohjes, në dhuratat e përshpirtshme të njeriut, për çfarë njeriu dhe ato janë krijuar nga Krijuesi i tyre.
Gjendja aktuale e muslimanëve gjatë dhe jashtë ramazanit, para dhe pas Bedrit e Çlirimit të Mekës është trishtuese. Në vend të leximit kemi përtaci, në vend të ibadetit kemi formalitet, në vend të paqes kemi zënka e konflikte, në vend të dashurisë kemi urrejtje.
Iftaret spektakël, një mësim si nuk duhet të jemi
Nëse do t’ia hedhin një shikim ramazanëve tona në mjetet informuese dhe në rrjetet sociale si FB, Twitter e tjera, do ta kemi tërësisht të qartë rrëshqitjen tonë drejt ambisit. Nëse të painformuarit do ta merrnin si model agjërimin tonë, përkatësisht nëse do t’i merrnin për model iftaret tona aktuale, atëherë do të fitohej përshtypja se muslimanët janë përbindësha, të pangopur, grykës, të cilët mezi presin të kalojë pjesa ditore e të vërsulen drejt sofrave përplot ushqim. Po harrohet modeli islam i sofrës, modeli i maturisë në shpenzime, i maturisë në zhurmë, i maturisë në veshje, modeli islam i sofrës ku zotëron altruizmi, solidariteti, dhembshuria, dashuria ndaj të afërmve, të varfërve, të sëmurëve dhe tjerëve.
Nëse kësaj gjendje i shtojmë invadimin e ligjëruesve nëpër televizione, mosdijen trishtuese të tyre (çdo respekt për përjashtimet), përkatësisht dijen shejtaneske (devijante) të tyre (në shërbim të përçarjes brendaislame), shpjegimet e të cilëve më tepër topisin trurin e besimtarit sesa e kthjellojnë, me programet filmike televizive që irritojnë, me ilahitë dhe kasidet e stilit turbo e tallava dhe ekzekutorët e tyre që mbijnë si kërpudhat pas shiut dhe përmbajtjet tjera që ofrohen për besimtarët dhe jobesimtarët, vërtetë janë shqetësuese dhe larg modelit islam të pritjes dhe përcjelljes së Ramazanit, Kur’anit, Bedrit, Mekës, Kadrit etj. Jetimi kryesor në këtë është modeli islam, i cili mbetet pa përkujdesje, pa ledhatimin e duhur, pa buzëqeshjen e nevojshme. Kujt i shkon për shtati kjo gjendje, ky trend, nuk e di, por shoh që shumica e njerëzve janë pro kësaj gjendjeje.
Edhe pse nuk jam më i mençuri, megjithatë do të sugjeroj: është detyrë e Bashkësisë Islame në të gjitha nivelet që për vitin tjetër të bëjë ndryshime sado të vogla qofshin ato: para televizioneve të dalin vetëm disa njerëz kompetentë, të përgatitur me kohë dhe denjësisht, të flasim për tema që janë aktuale dhe jo gjerat që na vijnë në kokë, aty për aty, pa përgatitje, pa njohuri. Po ashtu, të përcaktohet pak a shumë edhe pamja e tyre fizike (veshja), dhe jo të dalin me pamje trishtuese, duke u thirr në gjoja mësimet burimore të fesë dhe duke imituar hoxhët e tyre të preferuar nga vendet ku kanë studiuar. Allahu është i bukur dhe e do të bukurën. Shëmtia nuk është tipar i Islamit dhe duhet të hiqet. Gjendja aktuale është e patolerueshme. Një rrëmujë të tillë nuk do ta gjejmë as në vend as në rajon në mesin e feve tjera (por e gjejmë vetëm te muslimanët në Kosovë, Maqedoni, Shqipëri etj.).
Si duhet të jetë qasja jonë para, gjatë dhe pas zgjedhjeve politike
Zgjedhjet politike në vazhdimësi paraqesin një sfidë për besimtarët. Si të votojnë, kujt t’ia japin votën? Sa janë partitë aktuale në interes të vendit dhe të besimtarëve praktikë? A mundet dhe a duhet besimtari t’ia jep votën milionerëve (profiterëve) të pasluftës? A duhet t’ua jep votën argatëve të organizatave e shërbimeve të huaja që nuk u dihet kiblja! Ka edhe shumë pyetje të ngjashme.
Çështja kryesore është që gjatë përcaktimit tonë politik duhet të ruhet uniteti i munguar politik. Uniteti plot 15 vjet ishte i brishtë dhe vetëm nën trysni të konstelacionit politik ekzistonte si i tillë. Çdo veprim tjetër është i papranueshëm dhe i dëmshëm për vendin dhe duhet të dënohet nga elektorati i vet. Inatet politike, lufta për pushtet, lakmia për pasuri janë vetëm disa nga ligësitë e pranishme dhe ndihmë direkte ndaj elementeve rrënuese të vendit.
Si të kuptohen luftërat brenda muslimane?
Ju mbase keni dëgjuar se lufta gjatë Ramazanit është rreptësisht e ndaluar. Ju mbase keni dëgjuar edhe këtë se “... ai që mbyt ndokënd, i cili s’ka mbytur askënd, ose atë që nuk ka bërë çrregullim në Tokë – është sikur t’i mbysësh të gjithë njerëzit...”. (El-Maide, 32). Nëse edhe në kohën e idhujtarisë kjo normë, për mosluftim mes palëve gjatë Ramazanit, është respektuar mes palëve rivale, kjo më nuk ndodh. Muslimanët luftojnë mes veti, vriten mes veti me arsyetimet më banale. Pranvera arabe, ky mashtrim dhe komplot perëndimor i sendërtuar me duart muslimane, është vetëm një vazhdim i projektit qysh në mesjetë të projektuar. Pranvera Arabe nuk bëri gjë tjetër pos rivendosi sisteme po aq jostabile, po aq të dhunshme, po aq pa perspektivë. Është një rokadë njerëzish, të bindur, për të vazhduar skllavërinë. Spiralja e të keqes do të vazhdojë në vende të tjera, me njerëz tjerë, por me synime të njëjta, bota muslimane edhe më tej duhet të mbetet e nënshtruar, e fragmentarizuar, e pafuqishme, kurse Izraeli do të shtrijë ndikimin e vet, me ndihmën amerikane dhe hipokrizinë evropiane. Kësaj hipokrizie duhet kundërvënë me aleanca të reja në nivel botëror, por jo për të dominuar, por për të menaxhuar më mirë situatat nëpër botë.
Palestina, si t’i qasemi?
Ndër problemet aktuale është Palestina dhe populli i saj. Izraeli, nën mbrojtjen dhe përkrahjen botërore, bën dëm të paparë mbi popullin palestinez. Bota mbyll sytë, madje i jep edhe të drejtë për vetëmbrojtje, në stilin e asaj përrallëzës popullore, kur qengji që gjendej poshtë ia kishte turbulluar ujin ujkut i cili gjendej lart. Madje, disa shtete ‘muslimane’ i paguajnë edhe shpenzimet luftarake izraelite kundër palestinezëve. Vendet e Gjirit janë dëshmia më e keqe e mundshme.
Muslimanët janë fajtori kryesor për këtë gjendje. Ata tradhtuan idealet e Islamit për gjera të pavlefshme të kësaj bote. Muslimanët e sotëm tradhtuan edhe trashëgiminë e pasur nga e kaluara, e cila muslimanët i bëri mësues të botës kurse neve krenar me ato të arritura. Muslimanët sot nuk merren me shkencë por me përçarje e gjakderdhje, me primitivizma e kotësi.
Nëse muslimanët ekstremë mendojnë se kanë të drejtë, le ta ndihmojnë Palestinën, Çeçeninë, Muslimanët në Nianmar, Xhamu e Kashmir, jo duke prerë koka dhe duke demonstruar çmendurinë e tyre, por duke mbrojtur të pafuqishmit, sidomos për Ramazan. Jerusalemi (Kudsi sherifi) dhe të pafuqishmit tjerë nëpër botë po presin ndihmën dhe solidaritetin e të mirëve.
(Keq)përdorimi i shprehjeve islame
Jemi në kohën e organizimeve sa për sy e faqe. Institucionet e Bashkësisë Islame ne trojet shqiptare por edhe organizata me ngjyrim musliman më tepër i përkushtohen formës sesa përmbajtjes. Terminologjia islame shpjegohet sipas klisheve të ngushta dhe të ngurta ideologjike. Mendoj se në të shumtën e rasteve këto shpjegime ideologjike i shërbejnë ndarjes së muslimanëve dhe jo unitetit të tyre. I këtillë është shpjegimi i termit ehli-sunet, ehli-sunet dhe xhemat etj. Disa i përvetësojnë këto terma duke përjashtuar të tjerët, me çka hyjnë në një rrugë pa krye, në rrugën e tekfirizmit, shpalljes për jobesimtarë (renegatë) të të gjithë të tjerëve pos grupit të tyre.
Jam simpatizues dhe kontribuues i lëvizjeve drejt afrimit ndërmusliman, afrimit ndërmedhhebor,[5] jam përkrahës dhe kontribuues i idesë për trajtimin e të kuptuarit aktual të burimeve islame, burimisht, intelektualisht, kurse diversitetin e mendimeve ta kuptojmë si pasuri e jo përjashtim. Islami e ngre lart dijen, lapsin e letrën, madje më lart se gjakun e shehidit. Vetëm një perceptim i këtillë i Islamit mund t’i lëviz zemrat dhe mendjet e muslimanëve drejt të mirës, të moralshmes, përparimit, mësimit.
____________________________________________
[1] Zeqirija Ibrahimi, Ramazani ndër shqiptarë, në: http://www.zeriislam.com/artikulli.php?id=2899.
[2] Rešid Hafizović: Zašto zaštitnici muslimana i islamskog pravovjerja ne ustanu u odbranu Palestine i Qudsa koji je ukras i ponos Ummeta, në: http://www.preporod.com/index.php/intervju/4341-resid-hafizovic-zasto-zastitnici-muslimana-i-islamskog-pravovjerja-ne-ustanu-u-odbranu-palestine-i-qudsa-koji-je-ukras-i-ponos-ummeta.html.
[3] Metin Izeti, Kë s’e merr malli për Ramazanin, s’e kupton dashurinë, në: http://www.zeriislam.com/artikulli.php?id=2917; Metin Izeti, Ramazani në (pa)kohë dhe (pa)hapësirë, në: http://www.zeriislam.com/artikulli.php?id=2908.
[4] Nexhat Ibrahimi, Disa këshilla praktike se si të organizohet jeta gjatë Ramazanit, Revista Etika, nr. 41/gusht 2011; Nexhat Ibrahimi, Agjërimi ndërmjet shpirtërores dhe fizikes, Dituria islame, nr. 264/2012; Nexhat Ibrahimi, Traditat e muslimanëve gjatë bajrameve, në: http://www.zeriislam.com/artikulli.php?id=2916 .
[5] Sipas: Nexhat Ibrahimi, Domosdoshmëria e dialogut dhe e mirëkuptimit ndërmuslimanë, në: http://www.zeriislam.com/artikulli.php?id=490. Gjithashtu: Kutb Mustafa Sano, Parimet e bashkëpunimit ndërmjet medhhebeve islame. Logos-A, Shkup, 2014.
Publikuar ne revisten Shenja te muajti qershor 2015