Trajtesa mbi imanin të autorit Hasan Fehmi efendiu

Njëherit, libërthi në fjalë paraqet edhe një dëshmi se krijimet e autorëve muslimanë, ndonëse në masë të madhe të injoruara, madje edhe të shtrembëruara e falsifikuara nga intelektualët shqiptarë (provatikanë dhe antimuslimanë), megjithatë po gjejnë rrugë për të parë dritën e botimit, për t’iu bërë të njohura opinionit mësimdashës. Këtë realitet e ka vërejtur qysh moti profesori Hasan Kaleshi (Kontributi i shqiptarëve nbë dituritë islame, Prizren, 1411/1991) dhe së voni Mahmud Hysa (Alamiada shqiptare, I-II, Shkup, 2001) dhe vetë autori i këtyre rreshtave në disa shkrime e autorë të tjerë. Nga të dhënat që lexojmë mund të konstatohet se Hasan Fehmi efendiu ishte njohës i disa gjuhëve (shqip, turqisht, arabisht, bullgarisht), që e bënte Hasan efendiun komunikativ me rrethin ku jetonte dhe vepronte. Gjatë karrierës së tij kreu me përgjegjësi detyrën e imamit, hatibit e mualimit në xhami. Këtë e dëshmon vetë parathënia e libërthit. Ishte personalitet i kohës, tejet i gjallë dhe kreativ por modest, i dashur dhe i afërt me popullin dhe mbi të gjitha i devotshëm. Në aspekt të funksioneve publike Hasan Fehmiu kreu disa detyra me rëndësi parësore: të profesorit në medresenë “Atije Hanmi” në Shkup, të anëtarit të trupit gjykues në Gjykatën e Vilajetit të Kosovës, kurse pas katër vitesh (1904) u emërua mufti i Vilajetit të Kosovës. Kreu edhe funksione tjera me rëndësi fetare dhe shoqërore. Në rrafshin e fjalës së shkruar shkroi dy vepra: “Zubdet’ut-ta’lim” dhe “Risalei imanije”. Këtë të fundit, që e kemi në shqyrtim, Hasan efendiu e shkroi në një kohë të vështirë, kur për islamin flitej kryesisht negativisht. Osmanlinjt, nga brenda të shtrënguar tendencat sekulariste kurse nga jashtë nga forcat sllave dhe evropiane, përjetonin periudhën më të rëndë perandorake. Në rënie ishte çdo sferë e jetës. Në këto rrethana politiko-shoqërore dhe në suaza të aftësive të tij intelektuale dhe të nivelit intelektual e shkencor të kohës së tij, kurse për nevojat e xhematit të tij, u përpoq që muslimanëve t’ua afrojë dhe ofrojë thesarin islam, mësimin e tij për nevoja praktike të nxënësve të tij. Ai me mençuri dhe akribie absorboi literaturën klasike islame, që vërehet në çdo pasus, duke afruar besimin islam rrënjëve të tij. Imponon qasja e tij ndaj temës së shkruar. Shkrimi është origjinal, kritik dhe shumështresor. Stili është ekspresiv kurse metoda skolastike dhe apologjetike, në çka ndjek klasikët e ilmu’l-kelamit, si Ebu Hanife, Imam Maturidiu, Imam Nesefiu e të tjerë. Problemet e rënda doktrinare trajtohen dhe analizohen guximshëm, qartë, me argumente nga Kur’ani, Hadithi dhe autorët klasikë, por pa rrëmujë e hendeqe, që veprës i jep vlerë të lartë shkencore, didaktike dhe metodike. Për disa konstatime Hasan Fehmi efendiu edhe do të mund të kritikohej, por kjo çështje aspak nuk e humb vlerën e libërthit. Për lexuesit shqipfolës vepra ka rëndësi të shumëfishtë: Vlerë fetare-doktrinare-praktike dhe kulturo-historike, sepse dalja e veprës në dritë në gjuhën shqipe ofron kontribut për njohjen e të kaluarës tonë islame në këto toka; përkthimi dhe botimi i veprës në gjuhën shqipe, gjithashtu, tregon nivelin e zhvillimit të shkencës së akaidit dhe shkencave të afërta me të ndër ne atëbotë dhe lidh fijet thuajse të shkëputura ndërmjet brezeve të muslimanëve në Ballkan. I kundruar nga largësia libërthi shërben si vravashkë kurse i kundruar nga afërsia si shtyllë e fuqishme në vlerat e besimit, tashmë një kohë të provokuara nga individë dhe grupe të ‘importuar’ nga vende e qarqe me mentalitet skizmatik, sektar dhe të dyshimtë të disa vendeve arabo-islame. Është e rrugës që kjo vepër të hulumtohet rrënjësisht së në aspektin doktrinar, ashtu edhe në aspektin kulturo-historik, në kontekst të rrethanave shoqërore-politike dhe fetaro-kulturore, për ta parë Hasan Fehmi efendiun në tërë madhështinë e tij intelektuale si hoxhë, muderris, mufti, gjyqtar por edhe si njeri dhe personalitet i kohës. Në mungesë të studimeve më të hollësishme për autorin dhe rrethanat politike në kohën dhe vendet ku ka vepruar nuk e shohim të rrugës të lëshohemi në elaborim të hollësishëm. Por, mbetet obligim që në të ardhmen të bëhen hulumtime shumëdimensionale për ndriçimin e të kaluarës për të ndërtuar të ardhmen. Lexuesi shqipfolës me botimin e këtij libërthi do të fisnikërohet dhe pasurohet me dije të rrallë dhe shumë të nevojshme nga thesari muslimanë. Kjo asocon në faktin që kohëve të fundit ka filluar të zgjohet vetëdija për publikimin e dorëshkrimeve apo botimeve të vjetra për opinion të panjohura. Botimi i veprave klasike të Imam En-Nesefiut, Imam El-Maturidiut, të Ebu Hanifes, pastaj të veprave të Sami Frashërit e të tjera dëfton se duke studiuar dhe nderuar të parët kemi filluar ta ndërtojmë të ardhmen. Meritë të madhe për këtë sihariq për lexuesit ka përkthyesi zotëri Dhylkarnejn Vardari, pastaj përkthyesi i fjalës së autorit, biografisë dhe hyrjes së shkurtër hafiz Idris ef. Idrisit dhe botuesit tashmë të dëshmuar. All-llahu i madhëruar i shpërbleftë të gjithë! Prizren, 05. 07. 2003

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme