Përballë errësirës

Ai që ka vendosur të gjurmojë të vërtetën gjen kundërshtarë përgjatë gjithë jetës! Duke hulumtuar historinë e sionizmit, Garodi hasi në të dhëna statistikore sipas të cilave në fillim të Luftës së Dytë Botërore në Europë kanë jetuar rreth 3.5 milion hebrenj. Kjo e dhënë e vuri vetvetiu në pikëpyetje numrin prej 6 milion hebrenjsh si viktima të Gjermanisë naziste.

 

E kam njohur atë njeri. Erdhi  me ftesë të katedrës së filozofisë në Fakultetin e Filozofisë në Shkup. Rozhe Garodi (Roger Garaudy) fliste për librin e tij Realizmi pa brigje (D'un réalism sans rivage; Picasso, Saint-John Perse, Kafka, préface de Louis Aragon, Plon, 1963). Libri ishte në listën e literaturës primare të studimeve të magjistraturës, ku unë isha i regjistruar atëbotë. Një rast që nuk lëshohej. I thashë diçka për atë se formulimi Realizmi pa brigje si edhe Lumi pa brigje është një alegori që nuk mund të imagjinohet, është një lloj antinomie. “Alegorie antinomique!?” – përsëriti ai dhe më pa. Nuk e di a më kuptoi.

Tanimë Rozhe Garodi është bërë për rahmet. Ndërroi jetë më 13 qershor, e mërkurë, në shtëpinë e tij në Shenevier të Marnës, ndërsa lajmi u dha të premten, më 15 qershor. Nëse do të jetonte edhe një muaj, do mbushte 99 vjet. Ai ka lindur më 17 korrik 1913 në Marsej. I ati i tij ishte një ateist fanatik, ndërsa gjyshja nga nëna qe një katolike e rreptë. Qysh në shkollë të mesme Rozhe u përcaktua për protestantizmin. Këtë vendim vetë ai e komenton si një zgjedhje e vetme racionale në atë kohë. “Njoha ateizmin dhe katolicizmin nga dora e parë. Nga ana tjetër, ndjehesha si polemizues dhe heretik!” Ky pasion për të polemizuar (agon polemos), të cilin filozofët gjithnjë e kanë konsideruar si shenjë të dhuntisë autentike filozofike, i shoqëruar me një frymë të theksuar ikonoklastike, do përbëjë shenjat e tij specifike, që nga Rozhe Garodi do përvijojnë një brand intelektual gjatë karrierës kreative për më shumë se 60 vite. Ka botuar rreth 80 libra. Libri tij i parë është shtypur më 1945 (romani Antej), ndërsa dy librat e tij të fundit janë botuar më 2004, kur Garodi kishte mbushur 91 vjeç.

Po ajo frymë polemizuese dhe heretike do ta detyrojë Rozhe Garodin që në moshën 20-vjeçare, në vitin 1933,të bashkohet me Partinë Komuniste të Francës (PCF). U diplomua për filozofi më 1936. Në fillim të Luftës së Dytë Botërore paraqitet në ushtrinë franceze dhe merr pjesë në disa beteja me ushtrinë fashiste gjermane. Pas betejës në Marna, për shkak të trimërinë së dëshmuar, nderohet me urdhrin Kryqi i luftës (Croix de Guerre). Pasi u kthye në front më 1941, nga regjimi kolaboracionist i Vishit (Vichy) burgoset si patriot dhe anëtar i Lëvizjes së Rezistencës dhe dërgohet në llogoren vishistëve në Gjelfa (Algjeri), ku qëndroi deri në shkurt të vitit 1943.

Pas humbjes së fashizmit dhe regjimit të Vishit, së pari u aktivizua si redaktor i përgjithshëm i Radio Francës (Radio-France) në Algjer. Duke qenë i prirë drejt ideologjisë së lirë, u bashkohet qarqeve komuniste në Paris dhe bëhet redaktor i buletinit Liberté të Partisë Komuniste Franceze. Më vonë bëhet deputet i partisë komuniste, së pari në qytetin Tarn (1945-1951), e më pas në komunën Sena të Parisit (1956-1958), për t’u zgjedhur më vonë senator në Paris (1959-1962). Karriera e tij akademike kurorëzohet me mbrojtjen e doktoratës për filozofi me tezën Teoria materialiste e njohjes (Théorie matérialiste de la connaissance, Sorbone, 1953), e cila, në pajtim me karakterin e tij  (“Karakterin e fatit!”) nuk kalon pa u debatuar rreptë me Michel Faucault-në, që ishte anëtar i komisionit të mbrojtjes. Në këtë periudhë daton edhe miqësia dhe fillon bashkëpunimi intensiv i Garodit me Atë Pjerin (abbé Pierre). Ky aktivist qytetar kontrovers, në atë kohë ishte nënkryetar i Konferencës Botërore, e cila përkufizohej si “lëvizje federaliste universale për promovimin e mondializmit demokratik”. Anëtarët e saj më të dalluar ishin André Gide dhe Albert Camus, si dhe themeluesi dhe mbështetësi financiar Garry Davis. Qëllimi themelor i kësaj lëvizje ishte krijimi sistematik i lëvizjes së gjerë të qytetarëve të botës për luftë kundër korrupsionit dhe egoizmit të kombeve të mëdha. Për të demonstruar këtë qëllim, ata organizuan demonstrata, në të cilat shqyen pasaportat e tyre para ambasadës amerikane.

Ai që ka vendosur të luftojë kundër padrejtësisë ka gjetur punë për gjithë jetën! Lufta kundër një lloj totalitarizmi nuk e ka hedhur Garodin në një totalitarizëm tjetër. Për shkak të paraqitjeve publike në mënyrë të rreptë dhe të drejtpërdrejtë, ai i kundërvihet ndërhyrjes së Bashkimit Sovjetik në Hungari dhe në Çekosllovaki, gjë që solli përjashtimin (1970 ) e Rozhe Garodit nga Partia Komuniste e Francës. Si drejtor për shumë vite i Qendrës së Studimeve dhe Hulumtimeve Marksiste (Centre d’études et de recherches marxistes), – ndonëse i promovuar si një nga filozofët më të dalluar zyrtarë të PK së Francës – ai heq dorë nga ideologjia marksiste, e paraqitur në dokumentet partiake, dhe merr etiketën “disident komunist”. Duke gjurmuar në modelin humanist, të qëndrueshëm dhe të pakompromentuar shpirtëror, Rozhe Garodi braktis edhe përcaktimin e tij si katolik dhe në vitin 1980 përqafon Islamin. Këtë zgjedhje e zyrtarizon në vitin 1982, kur dijetari saudit Bin Baz e emëron Garodin anëtar të Këshillit Suprem Ndërkombëtar të Xhamive. Ky hap i Garodit shkaktoi një befasi të madhe, reagime të rrepta dhe kryesisht negative në qarqet ateiste, por edhe katolike e protestante, si dhe reagime pozitive në qarqet islame në botë. Megjithatë, deklarata e tij, e dhënë në nëntor të vitit 1996 në një intervistë, ku ai, mes tjerash thekson se: “E pranova Islamin pa hequr dorë nga bindjet e mia vetjake dhe intelektuale”, shkaktoi reagime serioze (ose të panevojshme do thoshim) edhe në botën islame. Në fakt, qëllimi i Garodit nuk ishte se ai nuk ka pranuar mësimin e Islamit, porse mësimet e Islamit nuk përplasen me normat e tij, që njëherazi nënkupton se nuk përplasen as me normat etike dhe intelektuale të cilitdo intelektual me orientim humanist.

Duke mbetur besnik deri në fund të jetës së tij, Rozhe Garodi themeloi një fondacion që mbeti i përkushtuar në ruajtjen e tolerancës islame dhe në afirmimin e vlerave islame sot, me seli në Kordoba, në qytetin që gjatë kohës së pranisë së shtetit islam në Europë (El Andalus dhe Emirati i Kordobës) ishte qyteti më i përparuar dhe më i madh i botës me mbi një milion banorë.

Ai që ka vendosur ta gjurmojë të vërtetën, gjen kundërshtarë përgjatë gjithë jetës! Duke hulumtuar historinë e sionizmit, Garodi hasi në të dhëna statistikore sipas të cilave në fillim të Luftës së Dytë Botërore në Europë kanë jetuar rreth 3.5 milionë hebrenj. Kjo e dhënë e vuri vetvetiu në pikëpyetje numrin prej 6 milion hebrenjsh si viktima të Gjermanisë naziste. Si rezultat i hulumtimeve të tij, më 1995 Rozhe Garodi botoi librin e tij me titull Mitet themelore të politikës izraelite (Les Mythes fondateurs de la politique israélienne, 1995, éditions La Vieille Taupe). Për shkak të përmbajtjes së tij, libri është shtypur vetëm për ata që e parapaguanin, që më pas, në vitin e ardhshëm (1996) të botohet edhe për publikun e gjerë. I intonuar në frymën e pozicioneve filozofike të Ernst Kasirer-it, ky libër bazohet para së gjithash në analizën e konceptit të mitit. Tre kapitujt e tij, në përputhje me këtë qasje, janë titulluar kështu: Mitet teologjike, Mitet e shek. XX dhe Shfrytëzimi politik i mitit. Duke mbajtur parasysh se libri paraqiste një negacion të drejtpërdrejtë të holokaustit, gjykatat franceze morën vendim për ndalimin e botimit të mëtejshëm të këtij libri. Më 27 shkurt 1998 Gjykata e Parisit e gjykoi Garodin me një dënim në para (120.000 franga) dhe me dy vjet burg me kusht; e gjithë kjo për shkak të krimit kundër humanizmit dhe urrejtjes racore. Po atë vit, më 16 dhjetor, ky vendim u përsërit, ndërsa dënimi u dyfishua në 240.000 franga dhe edhe me tre vite burg me kusht, me arsyetimin se me këtë libër autori përhap urrejtje racore. Avokatët e Rozhe Garodit dorëzuan një ankesë në Gjykatën Supreme të Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut. Në arsyetimin e ankesës thuhej se vendimi i gjyqit shkel Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut, nenin 10 (liria e të shprehurit), nenin 6 (e drejta e gjykimit të drejtë), nenin 4 të Protokollit nr. 7 (e drejta që të mos dënohesh dy herë për të njëjtën vepër, gjë që, në fakt, i ndodhi  Garodit), nenin 9 (liria e të menduarit, e ndërgjegjes dhe e fesë) dhe nenin 14 (ndalimi i diskriminimit) të Konventës. Megjithatë, ankesa u hodh poshtë si e pabazë, ndërsa dënimi u konfirmua pa u komentuar asnjë element i ankesës.

Pasioni për polemikën dhe guximi për të kërkuar të vërtetën me çdo çmim, pa dyshim do të mbeten tiparet më markante të portretit filozofik të Rozhe Garodit. Duke kërkuar vlerën e angazhimit të njeriut, ai iu përkushtua protestantizmit, antifashizmit, marksizmit dhe kozmopolitizmit, antikolonializmit dhe antisionizmit, dhe përfundimisht u përcaktua dhe u përqendrua tek islami. Është fort e vështirë që i gjithë ai angazhim intensiv filozofik të shprehet në një fjali. Unë po ia lejoj vetes të kujtohem në takimin tonë të parë, të vetëm dhe të fundit, kur nuk munda të zbuloj se a e kuptoi Rozhe Garodi komentin tim për “realizmin pa brigje” si një lloj alegorie antinomike.

Kur në moshën 80-vjeçare botoi librin Përballë errësirës (À Contre – Nuit, Paris, 1992), titullin e saj e interpretova si dëshmi që atëherë, gjatë takimit tonë të vetëm, Rozhe Garodi më kishte kuptuar. Vetëm në libra dita nuk përfundon me natë dhe drita me errësirë. Vetëm në libra jeta nuk përfundon me vdekje. Por, edhe ajo mjafton që të kuptojmë se të jetuarit do të thotë të notosh derisa të mbërrish në breg. Dhe, se duhet punuar derisa të ketë dritë, duke mos marrë parasysh faktin se në një çast mund të shfaqet errësira. Në fakt, të jetuarit nënkupton të qëndruarit përballë errësirës!

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme